Politikanët në Kosovë duhet të jenë të bashkuar në ndërtimin e një pozicioni më të fuqishëm në tryezën e bisedimeve me Beogradin, thotë deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Në procesin e dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kamberi thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po tenton të fitojë kohë meqë, sipas tij, ai e di që zgjidhja e procesit në fund do të jetë “e pafavorshme” për të. Megjithatë, sipas Kamberit, lidershipi atje tashmë e di se “çizmja serbe më nuk do ta shkelë Kosovën”.
Kamberi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se presidenti i Serbisë po tenton të minimizojë fajësinë për gjenocidin e kryer në Kosovë
Mbi 13 civilë të vrarë, mbi 20 mijë të përdhunuar seksualisht, mbi 6 mijë të zhdukur – prej tyre rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, e më shumë se 800.000 persona të zhvendosur gjatë luftës së viteve në 1998-1999 në Kosovë. Serbia vazhdon t’i mohojë krimet që i ka kryer në Kosovë.
“Aleksandar Vuçiq po tenton që ta ulë fajësinë e Serbisë që e ka pasur në luftë dhe disi në procese që ekzistojnë të jetë i barabartë me vendet tjera. Sa i përket Kosovës, mendoj që privatisht ata e dinë që Kosova kurrë më nuk do të jetë Serbi, asnjëherë çizmja serbe më nuk do ta shkelë Kosovën, siç e ka mbajtur prej 1913 e sidomos e këndej. Por po mundohet që përmes kësaj loje gjeopolitike të përfitojë diçka atje. Dhe për të dalë nga kjo situatë me një përfitim, siç e thonë shpesh ata ‘nuk mundet njëri të fitojë gjithçka, tjetri të humb gjithçka’. Por, në anën tjetër nuk mund të dalë me qëndrim konkret për faktin se po të dalë me një kërkesë konkrete, siç shpesh mendohet se e ka kërkesën te veriu, atëherë ajo i bie që Vuçiq e pranon pavarësinë e pjesës tjetër të Kosovës dhe kjo ia ulë, në tryezën e bisedimeve, pazarin”, shprehet ai për KosovaPress.
Kamberi thotë se Vuçiq, përmes sulmeve terroriste, ka tentuar ta ndajë veriun e Kosovës.
Pjesa veriore u përball me tensione, sidomos në vitet e fundit. Në shtator të 2023-ës, terroristë serbë sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit.
Një vit më vonë, më 29 nëntor 2024, kanali i lumit i Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut, u dëmtua pas një shpërthimi të madh.
Autoritetet e Kosovës thanë se sulmi ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës ishte terrorist dhe i orkestruar nga bandat kriminale të mbështetura nga Beogradi zyrtar.
“Ai [Aleksandar Vuçiq] po mundohet të manipulojë për të përfituar kohë për të mos gjetur zgjidhje për Kosovën. Sepse e ka të qartë që zgjidhja që do të vjen në tavolinë është e pafavorshme për të dhe për regjimin e Serbisë. Ai ka premtuar gjithçka, ai ka premtuar kthimin dhe marshimin triumfal të ushtrisë serbe në Kosovë. Ka tentuar që përmes Banjskës të ndajë, skenarin e Qipros ta luaj, dhe ta ndajë veriun e Kosovës. Ka ndodhur sulmi tjetër terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës. Dhe Aleksandër Vuçiq tashmë e ka të qartë që me metodat e tilla në Kosovë, e ka fundin, nuk mundet”, shprehet Kamberi.
Derisa flet për dialogun e Brukselit, proces ky në të cilin Kosova ka hyrë që prej vitit 2011, Kamberi thekson nevojën për unitet të brendshëm.