Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, bashkë me kryesuesin e Këshillit Kombëtar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, kanë zhvilluar një takim me kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Preshevë.
Kamberi në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se takimi paraqet një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës dhe për vetë perspektivën demokratike të rajonit.
Ai ka thënë se në takim kanë ngritur zërin për politikat diskriminuese dhe përjashtuese të Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve të Luginës.
Kamberi ka shkruar se ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky dualizëm politik e moral, Kamberi ka thënë se nuk mund të vazhdojë pafundësisht.
“Bashkë me kryetarin e Këshillit kombëtarë, Enkel Rexhepi, kemi ngritur zërin kundër kësaj politike diskriminuese, duke kërkuar barazi reale, përfaqësim proporcional dhe respektim të marrëveshjeve të nënshkruara. Fatkeqësisht, regjimi aktual në Beograd vazhdon të trajtojë shqiptarët si problem politik e jo si qytetarë të barabartë”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka vlerësuar lartë iniciatiën e kongresistit Self për Projektligjin që i kërkon që Departamentit Amerikan të Shtetit të hartojë një raport zyrtar mbi trajtimin e shqiptarëve dhe pakicave të tjera etnike në Serbi, me fokus të veçantë në Luginën e Preshevës.
“Prandaj, angazhimi amerikan dhe iniciativa për Ligjin HR 6411 në Kongresin Amerikan janë me rëndësi të jashtëzakonshme. Ky ligj nuk është vetëm mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës; ai është një mesazh i qartë se diskriminimi, autoritarizmi dhe standardet e dyfishta nuk mund të jenë pjesë e së ardhmes evropiane të Serbisë”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka thënë se për vite me radhë, pushteti në Serbi ka ndërtuar një qasje sistematike të margjinalizimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me siç ka thënë, pasivizim administrativ të adresave për të zvogëluar artificialisht praninë shqiptare, përjashtim nga institucionet shtetërore, diskriminim ekonomik, moszhvillim të qëllimshëm dhe mohimin e të drejtave elementare kombëtare e gjuhësore si të drejta identitare.
“Heshtja ndaj padrejtësive në Luginën e Preshevës vetëm sa e forcon pasigurinë, emigrimin dhe destabilitetin afatgjatë në rajon. Shqiptarët e Luginës së Preshevës mbeten të përkushtuar ndaj paqes, bashkëjetesës dhe orientimit euro-atlantik. Por pa barazi reale, pa zhvillim ekonomik dhe pa respektim të marrëveshjeve të arritura, vazhdon rreziku i zbrazjes demografike dhe i destabilizimit dhe i humbjes së besimit në institucionet ndërkombëtare. Në Presheva sot nuk kemi folur vetëm për problemet e saj por edhe për nevojën që Ballkani Perëndimor të ndërtohet mbi drejtësi, barazi dhe standarde të njëjta për të gjithë qytetarët. Simetria në të drejta është koncepti politik që garanton paqe afatgjate. Koha e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund”, ka shkruar Kamberi.
Kongresistët Self dhe Subramanyam sot do ta vizitojnë edhe Kosovën.