LAJME

Kamberi: Memorandumi i studentëve për Kosovën tregon vazhdimësinë e politikave të vjetra në Serbi

Kamberi: Memorandumi i studentëve për Kosovën tregon vazhdimësinë e politikave të vjetra në Serbi
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Maj 2026, 10:24

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se pavarësisht ndryshimeve të mundshme politike në Serbi, vendi vazhdon të mbetet i lidhur me politika militariste, kolonialiste dhe hegjemoniste ndaj fqinjëve, veçanërisht ndaj Kosovës.

Ai ka përmendur si shembull të fundit një “memorandum të ri për Kosovën” nga studentët protestues në Serbi, për të cilin tha se tregon se alternativa politike pas presidentit serb Aleksandar Vuçiq nuk duket shpresëdhënëse, sidomos në aspektin e demokratizimit të vendit.

“Pushteti i Aleksandar Vuçiqit i zhytur në llum, krim, korrupsion dhe me prirje fashiste ndaj të tjerëve, duhet të largohet kjo nuk ka diskutim. Por po aq e qartë është se Serbia, pavarësisht ndryshimeve politike që mund të ndodhin, ende nuk po arrin të shkëputet nga politika e saj militariste, kolonialiste dhe hegjemone ndaj fqinjëve, veçanërisht ndaj Kosovës. Edhe kjo nuk ka diskutim. Shembulli i fundit, një ‘memorandum i ri për Kosovën’ nga studentët rebelues është dëshmia më e qartë se alternativa pas Vuçiqit nuk duket aspak shpresëdhënëse, sidomos për demokratizimin real të Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Kamberi ka shtuar se ambiciet kolonialiste të Serbisë vazhdojnë të pengojnë edhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Studentët serbë që po protestojnë tash e sa kohë kundër regjimit të Vuçiqit, të dielën kanë publikuar një memorandum të ri ku Kosovën e cilësojnë si pjesë të patjetërsueshme dhe integrale të Serbisë.

Sipas dokumentit “të miratuar” në Kragujevc, “Kosova dhe M. nuk janë thjesht territor, por përbërës i identitetit kombëtar serb”, ndërsa përmenden edhe monumentet fetare ortodokse në Prizren, Pejë dhe Graçanicë si pjesë e trashëgimisë “shpirtërore dhe kulturore serbe”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika