Ka kaluar gati gjysma e korrikut.
Megjithatë, akoma nuk dihet nëse do të mbahet takimi i përfolur për këtë muaj mes dy krerëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqit.
Nga Bashkimi Evropian nuk i kanë konfirmuar asgjë portalit “Front Online” lidhur me rrethin e ri të bisedimeve mes kryeministrit kosovar dhe presidentit serb.
“Si gjithmonë, ne i bëjmë publike detajet kur të është e përshtatshme”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Unionit, Peter Sano, dhënë portalit “Front Online”.
Njohësit e zhvillimeve politike janë të ndarë në mendime.
Analisti Dritëro Arifi beson se do të ketë një takim të nivelit më të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në 17 ditëshin e mbetur të korrikut.
“Takimi mund të bëhet, por më e rëndësishme është se cili do jetë rezultati nga ai takim, p.sh ndonjë marrëveshje për të pagjeturit”, theksoi Arifi për “Front Online”.
Me pak optimist është politologu Fidan Ukaj.
“Me zhvillimet e fundit, vendosja e drejtë e reciprocitetit nga ana e Kosovës për targat dhe dokumentet personale e ka zbeh mundësinë e një takimi të tillë, pasi që edhe Vuqiç deklaroi se sipas tij është i pakuptimtë takimi për të vazhduar bisedimet”, u shpreh Ukaj për “Front Online”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për herë të fundit në kuadër të dialogut u takuan më 19 korrik të vitit 2021.
Që nga ajo kohë, bisedimet ndërmjet dy shteteve janë zhvilluar në nivel ekipesh negociatore.
Megjithatë, dyshja kanë darkuar bashkë në maj të këtij viti joformalisht në Berlin me ftesë të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.