Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se proceset e shpeshta zgjedhore kanë ndikuar në shtyrjen e një raundi të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel liderësh.
Ajo tha se kishte pajtueshmëri nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për takim, porse tash në Kosovë po afron një cikël i ri zgjedhjesh, çka sipas saj, e shtyn procesin.
“Ne në fakt kishim planifikuar dialogun Beograd-Prishtinë në nivel të lartë politik. Kisha marrë pajtimin nga të dy liderët, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, por tani në Kosovë po afrohen sërish zgjedhjet, gjë që natyrisht e shtyn këtë proces”, ka thënë ajo.





