Pas ndalimit të rreth 103 tonëve mish me afat të skaduar në Mal të Zi të cilët ishin të destinuar për Kosovë, Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka thënë për Ekonomia Online se po realizohet një nga operacionet më të mëdha të inspektimit të mishit në vend.
Ai ka bërë të ditur se për këtë çështje kanë qenë në kontakt me autoritetet e Malit të Zi, ndërsa ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të zhvillohet edhe një vizitë për të diskutuar këtë rast dhe çështje të tjera.
“Dua t’ju informoj se meqenëse jemi pranë përfundimit të procesit të kontrollit zyrtar, Kosova dhe Agjencia e Ushqimit janë duke realizuar një nga operacionet më të mëdha të inspektimit të mishit ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Ne kemi qenë në kontakt me autoritetet e Malit të Zi. Javën tjetër do të kemi edhe një vizitë lidhur pikërisht me këtë çështje dhe çështje të tjera. Ju siguroj se të gjitha masat janë marrë dhe do të merren në rast se shkelet ndonjë dispozitë ligjore. Ju siguroj për përpjekjet e mia personale dhe të ministrisë në trajtimin e çdo çështjeje, veçanërisht në sektorin e mishit. Sa herë që Agjencia e Ushqimit konstaton ndonjë parregullsi, ju betohem se, pas përfundimit të formaliteteve procedurale, do të komunikohet dhe do të informohet edhe publiku, ashtu siç do të informoheni edhe ju. Por jemi duke u marrë me këtë çështje”, tha Muja.





