Me rastin e përvjetorit të Epopesë së UÇK-së, djali i heroit Hamëz Jashari, Bekim Jashari, ka kujtuar bisedën e fundit që kishte babai i tij me familjen në Prekaz pak ditë para betejës historike të 5, 6 dhe 7 marsit 1998.
Sipas rrëfimit të tij, biseda ishte zhvilluar më 3 mars 1998, vetëm pak ditë pas ngjarjeve të rënda në Qirez dhe Likoshan, ku forcat serbe kishin kryer masakra që tronditën popullsinë shqiptare të Kosovës.
Bekim Jashari kujton se gjatë bisedës e kishte pyetur babanë e tij, Hamëz Jashari, për gjendjen dhe armatimin në Prekaz.
“Sa do të mund të qëndrojmë nuk e di, sepse ata do të na sulmojnë me gjithçka që kanë. Por një gjë po ta them: qysh ka thënë Tahir Meha – kur të vdes unë, kanë me shkru shtatë gazeta… Unë po të them: ka me marrë vesh krejt bota çka ka me ndodhë këtu,” kishte thënë Hamëz Jashari.
Sipas Bekim Jasharit, pikërisht kështu ndodhi. Beteja tre-ditore në Prekaz, që nisi më 5 mars 1998, tronditi ndërgjegjen e botës demokratike dhe bëri që e vërteta për Kosovën të mos mund të mbetej më e heshtur.
Ai thekson se sakrifica e familjes Jashari dhe e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë një moment kthesë për popullin e Kosovës, duke zgjuar dhe bashkuar edhe më shumë qytetarët drejt mobilizimit për luftën çlirimtare.
“Ajo rrugë ishte e dhimbshme dhe plot sakrifica, por ishte rruga e drejtë që në fund u kurorëzua me lirinë dhe çlirimin e vendit tonë. Ky ishte çmimi i lirisë sonë,” thuhet në mesazhin përkujtimor.
Në fund të reagimit të tij, Bekim Jashari ka përkujtuar sakrificën e komandantit legjendar dhe të gjithë të rënëve për liri.
“Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.”