Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka njoftuar planin 2.3 miliardë dollarësh për të ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës që mund t’i rezistojë motit ekstrem dhe fatkeqësive natyrore, shkruan BBC të enjten.
Por ai nuk deklaroi zyrtarisht një emergjencë klimatike, e cila do t’i jepte atij kompetenca të mëtejshme.
Biden foli në Massachusetts pasi vala e të nxehtit ka sjell mot ekstrem në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
Dhjetëra miliona njerëz në SHBA po jetojnë nën paralajmërimet e nxehtësisë këtë javë.
“Ndryshimi i klimës është fjalë për fjalë një kërcënim ekzistencial për kombin tonë dhe për botën. Shëndeti i qytetarëve tanë dhe komuniteteve tona është… në rrezik. Kështu që ne duhet të veprojmë”, ka thënë Biden.
Ai tha se fondet do të shkojnë për zgjerimin e kontrollit të përmbytjeve, forcimin e shërbimeve, riparimin e ndërtesave dhe ndihmën e familjeve për të paguar shpenzimet e ngrohjes dhe ftohjes.
Paratë vijnë nga një buxhet ekzistues i Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave dhe do të kenë prioritet për komunitetet e pafavorizuara, shtoi Shtëpia e Bardhë.
Administrata gjithashtu planifikon të ofrojë mbështetje shtesë për zhvillimin e erës dhe energjisë në det të hapur në Gjirin e Meksikës dhe të zbatojë standarde të reja në vendin e punës për të ndihmuar në mbrojtjen e punëtorëve nga moti ekstrem.