Komuna e Prishtinës po shqyrton propozimin për vendosjen e një takse rrugore prej 10 eurosh për veturat që duan të hyjnë në zonën qendër të kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion, Luftar Braha tha se në këtë taksë nuk është i përfshirë i gjithë qyteti por vetëm zona “qendër” e tij.
“Qëllimi i taksës është për një zonë të caktuar të Prishtinës, nuk është për krejt Prishtinën, zonën e unazës së brendshme të kryeqytetit, zonën “Qendër”, ku ngarkesa në trafik është shumë më e madhe, por me reformat që po i bëjmë me transportin publik urban, ku do të dedikojmë shirita të caktuar për autobusë, transportin publik urban, domethënë autobusë lokalë, në të cilët udhëtojnë 80 mijë deri 120 mijë udhëtarë brenda ditës, çdo ditë, ngarkesa ka me qenë edhe më e madhe, sepse minus një shirit në secilin drejtim, do të jetë ngarkesë shumë më e madhe për të gjitha veturat tjera dhe kjo mandej ka me kriju frustrim, prandaj po mundohemi që zona “Qendër” me u përdorë më pak, edhe atëherë që përdoret ngarkesa që i krijohet qytetit edhe qytetarëve që bashkëjetojnë këtu, me pasë një taksë që nuk është 10 euro, është 10 euro për kamionët, do të jetë për kamionët e rëndë, për autobusët që janë të vjetër e që nuk i përmbushin kriteret, pastaj do të ketë kategorizime të tjera, brenda taksës për shembull munden me u liru veturat elektrike po kjo është çështje krejt e dëgjimit publik edhe e argumentimit, prandaj është në dëgjim publik, do të jetë deri më 24 qershor në dëgjim publik, ne i presim komentet e njerëzve, i presim argumentet kryesisht edhe në bazë të atyre argumenteve do të finalizojmë dokumentin e fundit që shkon në asamble që shkon diku në korrik për me u aprovu”, tha Braha.
Drejtori Braha ka shpjeguar edhe se kush do të paguajë taksën.
“Për shembull nëse vjen një qytetar i Pejës dhe është drejtu tek parkingu te “Pallati i Rinisë” mbrapa dhe i bjen prej urës së madhe, prej rrugës së hekurudhës, nuk i bjen me pagu hiç, deri te “Pallati i Rinisë”, por nëse dëshiron të hyjë në qendër, qendër edhe me shku te kafet e vogla me hy me kerr brenda, ka me i ra me pagu, është element i ngarkesës që bohet në rrugë të qendrës, sepse aq është kapaciteti i rrugëve, ne i kemi diku 140 mijë vetura që hyjnë brenda Prishtinës brenda ditës, por në këtë zonën “Qendra” kemi jashtëzakonisht shumë vetura, dhe brenda një rruge për shembull të “Ramiz Sadiku”, brenda orës na i kemi 40 autobusë lokalë që kalojnë, domethënë pothuajse çdo minutë ka një autobus lokal që kalon në atë rrugë, domethënë ka shërbim të transportit publik urban, njerëzit kanë me çka me ardhë, kanë me çka me mbërri në vendet e punës, nuk jemi tu e ndalë lëvizjen e lirë, por nëse ti po don me hy edhe gjithqysh po don me hy me mbërri te kafja me kerr edhe te institucioni drejt në derë, atëherë është çështje tjetër që taksohesh, taksohesh sepse po i krijon një ngarkesë krejt qytetarëve dhe jo veç Prishtinës, por krejt qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në Prishtinë, është një ngarkesë që po ua krijon krejtve”, tha ai për EO.
I pyetur për kritikat rreth këtij propozimi, ai tha se të njëjtat janë duke u mbledhur në një databazë dhe do të shqyrtohen.
“Ne jemi në dëgjim publik, dëgjimi është i hapur, ne kritikat i pranojmë, kritikat duhet me u shoqëru me argumentim, për me mujt na me vlerësu pse kritika ka vlerë, duhet me qenë argumenti apo kundërargumenti edhe dalim i shqyrtojmë secilin prej tyre, jemi tu kriju një lloj databaze të kritikave që mundemi me i mbledh, kritikat normalisht mblidhen në formë zyrtare, dhe është sajt kombëtar i konsultimeve publike, por jemi duke i mbledhur edhe prej rrjeteve sociale sa po mundemi me mbledh argumente, kritika që njerëzit po shkruajnë edhe me të cilët ne nganjëherë edhe po hyjmë në debat”, tha Braha.
Ai, tha se këto mjete që do të mblidhen nga kjo taksë do të shkojnë për projektet e Komunës së Prishtinës.
“Shiko këto taksa shkojnë direkt për komunën e Prishtinës, fitim nuk mundemi me quajtë por janë taksa që do të dedikohen për investime në komunën e Prishtinës, janë taksa që do të dedikohen për ndërtimin e unazës së jashtme të Prishtinës që e rregullojnë jetën edhe qarkullimi, lëvizjen e qytetarëve brenda Prishtinës është taksë mandej që dedikohen për transportin publik urban, domethënë me iu kriju njerëzve alternativa të lëvizjes, një flotë moderne, shirita të dedikum të komunikacionit ku ti nisesh prej një adrese në një adresë tjetër, prej një lokacioni në një lokacion tjetër brenda qytetit edhe mbërrijnë pa pengesa, nuk ta zen kërkush rrugën, autobusi ka prioritet, edhe unë po e them, po e ripërsëris sot kemi 120 mijë udhëtarë brenda ditës, që shfrytëzojnë autobusët lokalë, janë 120 mijë, pse me vuajtë, 120 mijë udhëtarë prej 120 mijë kerreve, kur na mundemi edhe prej kësaj takses, edhe prej investimeve tjera me rritë flotën, me rritë edhe numrin e autobusëve, me shtu frekuencën, me shtu edhe numrin e udhëtarëve që udhëtojnë me këta autobusa, me modernizu flotën edhe me ju dhanë njerëzve komoditet që me hypë në autobusë, edhe mos me qenë shumë ngushtë, mos me qenë të djersitur, mos me ardh era e gjëra tjera”, shtoi ai.
Braha tha se çështja e taksës prej 10 euro është ende në dëgjim publik dhe nuk është përcaktuar, dukë shtuar se mund të jetë edhe më e ulët.
“Po për sa kohë është në dëgjim publik është gjithçka e ndryshueshme, momentin që ka argumente taksa 10 euro nuk është e përcaktuar e fiksuar në 10 euro, kryetari e ka thënë edhe disa herë të tjera në publik që taksa do të jetë 1 euro ose 2 euro, përveç nëse na vendosim me ba unazën e jashtme brenda një viti, por na s’kemi vendosur me bë unazën e jashtme brenda një viti, kështu që nuk është taksa veç e dedikuar për atë punë, prandaj mundësi ka që taksa të jetë shumë më e ulët, brenda suazave, normave që i ka deklaruar kryetari më herët, por do të ketë taksë jashtëzakonisht shumë të lartë për veturat që nuk i përmbushin kriteret mjedisore dhe standardet evropiane. Për ato shumë të vjetra që janë”, tha Braha për EO.