Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij zyrtare. Siç mëson KOHA, Pupovci dorëheqjen e ka dorëzuar para një muaji, ndërsa këtë pozitë do ta ushtrojë deri në fund të këtij viti. Arsyet e dorëheqjes së tij nuk janë komentuar as nga vetë Pupovci e as nga ministrja Arbërie Nagavci.
Çdo të dytën të premte, Ministria e Arsimit mbante konferenca për shtyp për të njoftuar për punën e saj, duke u thirrur në transparencë.
Këto konferenca, që i zhvillonte zëvendësministri Dukagjin Pupovci, që nga 6 maji i këtij viti nuk janë duke u mbajtur.
KOHA merr vesh se arsyeja e mosmbajtjes së këtyre konferencave është edhe shkaku se zëvendësministri Pupovci ka dorëzuar dorëheqjen nga kjo pozitë, para një muaji.
Megjithatë, ai pozitën do ta ushtrojë deri në dhjetor të këtij viti.
Arsyet e dorëheqjes së tij nuk janë komentuar nga Pupovci e as nga ministrja Nagavci.
Në MASHTI nuk kanë dhënë asnjë arsyetim se pse dorëheqja nuk është bërë ende publike.
E herën e fundit që Pupovci e Nagavci janë parë në aktivitete të përbashkëta ka qenë në fillim të shtatorit në një takim me përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit.
Pupovci njihet si një ndër ekspertët e arsimit. Ai detyrën si zëvendësministër e pranoi në vitin 2021.
Edhe para së të merrte pozitë në ministri, ai ka qenë i përfshirë në përpilimin e legjislacioneve për sektorin e arsimit si pjesë e shoqërisë civile.
Ndonëse nuk ka dhënë përgjigje për dorëheqjen e Pupovcit, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, arsyen e mosmbajtjes së konferencave e ka ndërlidhur me grevën e mësimdhënësve, që filloi në fund të gushtit e zgjati një muaj e një javë.
“Konferencat në ministri të Arsimit si tejet të rëndësishme për informimin e punës që po bëhet në ministri, i kemi planifikuar dhe i kemi mbajtur çdo të dytën të premte për shkak të zhvillimeve në kohën e grevës dhe prishjes së dinamikës të këtyre konferencave, ku nganjëherë duhej të organizohej në ditët e javës, por edhe për shkak të prononcimeve në javët e ndryshme, e kanë çrregulluar”, ka thënë Nagavci.
Nagavci ka shtuar se konferencat do të rikthehen në muajin dhjetor.