LAJME

Jep dorëheqje kryetarja dhe kryesia e Listës GUXO në Deçan

Jep dorëheqje kryetarja dhe kryesia e Listës GUXO në Deçan
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Mars 2026, 09:49

Kryetarja e degës së Listës Guxo në Deçan, Rabije Haklaj, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i saj së bashku me kryesinë e degës, duke u tërhequr nga të gjitha strukturat e partisë, në një mbledhje të mbajtur më 8 mars.

Në një shkrim në Facebook, Haklaj ka thënë se vendimi është marrë në mënyrë unanime nga kryesia e degës dhe lidhet me zhvillimet e fundit rreth çështjes së rizgjedhjes së presidentes Vjosa Osmani. 

Sipas saj, dega e Guxo në Deçan është zhgënjyer nga qëndrimi i partnerit të koalicionit, Lëvizja Vetëvendosje, për mosmbështetjen e Osmanit për një mandat të dytë si presidente. Ajo theksoi se, sipas tyre, kishte një zotim politik që Osmani të vazhdonte në këtë post.

Haklaj gjithashtu kritikoi edhe drejtuesit e Lista Guxo, duke thënë se strukturat e partisë nuk janë konsultuar për qëndrimin lidhur me këtë çështje dhe se vendimi është mësuar përmes mediave.

Ajo bëri të ditur se me këtë vendim dega e Guxo në Deçan ndërpret çdo funksion dhe aktivitet brenda partisë, duke shtuar se politikisht do të vazhdojnë të qëndrojnë krah presidentes Osmani.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika