Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka dhënë dorëheqje nga ky post.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ahmetxhekaj ka thënë se vendimi i tij nuk nënkupton dorëzim, por është “kulmim i një presioni politik 7-mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”.
Duke përmendur disa nga punët që janë kryer gjatë kohës sa ai ka qenë në krye të kësaj detyre, Ahmetxhekaj ka thënë se ka shprehur vullnetin që ta ushtrojë detyrën deri në finalizimin e procesit të disa punëve, por Bordi e ka injoruar kërkesën e tij.
“Në gjykimin tim, një Drejtor i Përgjithshëm do të duhej të kishte mbështetje të plotë në krijimin e ekipit të tij dhe të mbrohet nga interferimi politik në çfarëdo forme dhe kurdo që mund të shfaqet. Uroj që pasardhësi im të jetë më fatlum në këtë drejtim. Të gjithë kolegëve, faleminderit për besimin dhe durimin e treguar gjatë kësaj kohe. Uroj që RTK-ja të zhvillohet dhe transformohet ashtu siç e pret publiku. ‘Unë kisha një ëndërr’”, ka shtuar ai./KOHA/