Pavarësisht prej kërkesës së përfaqësuesve të institucioneve, as sot nuk do të fillojë viti i ri shkollor 2022-23 si pasojë e grevës e cila ka filluar që nga data 25 gusht. Drejtues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) kanë njoftuar se greva nuk do të ndërpritet deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria.Ka hyrë në javën e dytë greva në arsim dhe, si pasojë e saj, është shtyrë fillimi i viti të ri shkollor 2022-23. Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Radio Kosovën se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria.
“Bazuar në komunikimin që kemi pasur me anëtarësinë, përfundimi është që greva, fatkeqësisht, do të vazhdojë. Greva do të vazhdojë derisa qeveria të ulet e të bisedojë me sindikatat për kërkesat e tyre”, ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket pakos së paraqitur nga kryeministri Albin Kurti, Jasharaj ka thënë se anëtarësia e ka mirëpritur, por kërkesat e sindikatave janë që të ketë dialog me qeverinë për ndarjen e 100 eurove për të gjithë zyrtarët publikë deri në miratimin e Ligjit të Pagave.





