Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, priti sot në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori.
“Mitsunori shprehu dëshirën dhe synimin e Japonisë për thellim të marrëdhënieve me Republikën e Kosovës, ndërsa kryeministri Kurti e falënderoi për ndihmën e vazhdueshme të Japonisë dhënë Kosovës. Ai vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale duhet të thellohen në të gjitha fushat, ndërsa duhet të fillojë një kapitull i ri i bashkëpunimit ekonomik, me fokus në fushën e teknologjisë së informacionit, marrë parasysh potencialin e rinisë në Kosovë si dhe bashkëpunimin me diasporën”, thuhet në njoftim.
I ngarkuari me punë Mitsunori, ritheksoi se Kosova do të ketë mbështetje të vazhdueshme nga Japonia, përfshirë këtu ndihmën përmes grantit për adresimin e pandemisë COVID-19.





