LAJME

Japonia financon projektin për pastrimin e terreneve nga minat në zonën e Mitrovicës dhe të Graçanicës

Japonia financon projektin për pastrimin e terreneve nga minat në zonën e Mitrovicës dhe të Graçanicës
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Mars 2026, 08:59

Në kuadër të grantit për sigurinë njerëzore në nivel lokal (GGP), Ambasada e Japonisë në Kosovë ka organizuar ceremoninë e dorëzimit të projektit për pastrimin e terreneve nga minat dhe mjetet e tjera shpërthyese në territorin e komunave të Mitrovicës dhe Graçanicës.

Ceremonia është mbajtur të enjten, më 12.03.2026, në zyret e Norwegian People’s Aid Kosovo (NPA Kosovo) në Mitrovicë të Jugut, ndërsa një vizitë në terren është realizuar në fshatin Bajgorë.
Në ceremoni kanë marrë pjesë Hiroyasu Tanigaki, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Claus Nielsen, drejtor për Kosovë nga NPA si zbatues i projektit, Ahmet Sallova, drejtor i Qendrës Koordinuese për Deminim (KMAC) nga Ministria e Mbrojtjes si dhe përfaqësues të fshatit Bajgorë.

Sipas komunikatës së Ambasadës së Japonisë në Kosovë, projekti ka për qëllim eliminimin e municioneve thërrmuese dhe mbetjeve shpërthyese nga 22.13 hektarë të territorit të fshatit Bajgorë në komunën e Mitrovicës së Jugut dhe nga 4.35 hektarë në fshatin Livagjë të komunës së Graçanicës.

“Projekti do të nxisë zhvillimin ekonomik të rajoneve duke mundësuar qasjen e komuniteteve në tokat bujqësore dhe kullotat. Pritet që numri i përgjithshëm i përfituesve të drejtpërdrejtë dhe të thërthortë të projektit arrijnë më shumë se 17 mijë persona. Vlera e projektit është 195 mijë e 510 euro”- thuhet në njoftim.

Drejtori i organizatës, Claus Nielsen, tha se deri më tani janë përfunduar disa detyra në zona të ndryshme, ndërsa aktualisht kanë mbetur edhe nëntë zona për t’u pastruar në pjesën veriore.

“Ajo që është e mirë për t’u parë është se kanë mbetur vetëm nëntë zona për t’u pastruar. Pra, kanë mbetur rreth 1.8 milion metra katrorë në zonat veriore.

Plani është që, pasi t’i përfundojmë zonat veriore, në koordinim me Qendrën e Veprimit kundër Minave të Kosovës, NPA do të vazhdojë – sipas detyrave që do t’i jepen nga kjo qendër – edhe në zona të tjera të kontaminuara në Kosovë” – potencoi Nielsen.

Në anën tjetër menaxheri i operacioneve, Haredin Kryeziu prezantoi pajisjet që përdoren në terren për zbulimin dhe heqjen e mjeteve shpërthyese./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika