LAJME

Jagxhiu: Është sfidë që Kosova ta ketë domenin e vet shtetëror

Jagxhiu: Është sfidë që Kosova ta ketë domenin e vet shtetëror
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Prill 2026, 09:54

Lulzon Jagxhiu, ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, në një konferencë për media, ka folur për problemin e Kosovës që nuk figuron si shtet në disa platforma elektronike ndërkombëtare.

Ai ka thënë se është sfidë që Kosova ta ketë domenin e vet shtetëror.

Jagxhiu ka deklaruar se janë duke marrë pejsë në forume të ndryshme regjionale dhe globale në fushën e digjitalizimit dhe si rezultat i angazhimeve të tyre, Kosova është bërë pjesë e dy forumeve të reja – GFCE (Forumi Global për Ekspertizë Kibernetike), procesit Polmo që udhëhiqet nga Britania e Madhe dhe Franca dhe në programin ‘Digital Europe’ (Europa digjitale).

“Në shumë platformë të ndryshme, Kosova ka sfida rreth listimit të saj (si shtet) për shkak se nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, prandaj edhe prodhues të ndryshëm duhet ta shtojnë Kosovën në listen e shteteve në kuadër të platformave të tyre… Duhet një punë e vazhdueshme të cilën ne jemi duke e bërë me prodhues, siç janë Google dhe Apple, në mënyrë që Kosova jo vetëm të listohet në platformat e tyre, po edhe të gjitha produktet që ofrohen prej tyre të jenë në dispozicion edhe në tregun e Kosovës.” – deklaroi Jagxhiu.

Kurse, ministrja Mimoza Kusari-Lila ka folur për marrëveshjen e Kosovës me Shoqatën Europiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), e cila u miratua në mbledhjen e Qeverisë më 20.04.2026.

Sipas Kusari-Lilës, kjo marrëveshje kontribuon në thellimin e integrimit ekonomik me tregjet e shteteve europiane me fuqi të lartë blerëse dhe me standarde të avancuara.

“Për ne është shumë e rëndësishme të inkurajojmë më tutje eksportin e shërbimeve, të lehtësojmë, natyrisht të heqim ngarkesat doganore të panevojshme, e gjithashtu të rrisim bilancin e përgjithshëm tregtar të vendit.” – tha Kusari-Lila para gazetarëve.

Ajo tregoi se janë në fazën finale të transformimit të Agjencisë të deritashme për mbështetje të ndërmarrësisë dhe eksportit – KIESA-  në Agjencinë për Inovacion dhe Ndërmarrësi.

“Në kuadër të Agjencisë së re, do të kemi edhe dy divizione – divizionin për biznese të grave dhe divizionin për start up dhe bizneset tjera të komuniteteve joshumicë… Ende kemi një përqindje të ulët të grave pronare të bizneseve… Synojmë të fascilitojmë, ngrisim numrin e bizneseve të grave në Kosovë.” – shtoi ajo.

Edhe në emisionin KallxoPërnime të datës 20.02.2026, Kusari-Lila kishte paralajmëruar se do të shuhet Agjencia për Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA). Kur i ishte kërkuar ta tregojë arsyen se pse do të shuhet kjo Agjenci, ajo ka thënë: “Kush ka pasë veprime ose vlerësime për korrupsion është një adresë tjetër, por jo KIESA…”./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika