Zyrtaren të Ushtrisë izraelite kanë thënë se presin që konflikti në Gaza të vazhdojë gjatë gjithë vitit 2024.
Në një mesazh për Vitin e Ri, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari, ka thënë se janë përgatitur për “luftime të gjata”.
Ai ka thënë se një pjesë e ushtarëve, veçanërisht rezervistët, do të tërhiqen për t’i lejuar ata që të rigrupohen për luftime të tjera.
“Me këto rigrupime kemi për qëllim që të sigurojmë planifikim dhe përgatitje për vazhdimin e luftës në vitin 2024”, është shprehur ai, raporton BBC.
“Ushtria duhet të bëj plan afatgjatë dhe duke e ditur se do të ketë misione shtesë dhe luftimet do të vazhdojnë edhe pjesën tjetër të vitit”, ka shtuar ai.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, rreth 21 mijë e 978 persona, shumica gra e fëmijë, janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori.
Sipas tyre gjatë kësaj periudhe edhe 56 mijë e 697 persona të tjerë janë plagosur.
Në këto shifra përfshihen edhe 156 persona të vrarë dhe 246 të plagosur në 24 orët e fundit.
Lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit ka nisur si pasojë e një sulmi ndërkufitar nga sulmuesit e grupit militant në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 persona, shumica prej tyre civilë dhe rreth 240 të tjerë u morën peng./KOHA/