Të paktën 40 persona janë vrarë e rreth 150 të tjerë janë plagosur në një sulm të armatosur të premten në mbrëmje në një sallë koncertesh në Moskë, sipas Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi.
Sulmi është një nga më vdekjeprurësit në Rusi gjatë viteve të fundit. Fillimisht është raportuar për pesë sulmues. Para mesnatës, Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. ISIS-i ka bërë njoftimin në kanalin e vet në Telegram, ka raportuar agjencia “Reuters”. Sipas lajmërimit të Shtetit Islamik, sulmuesit kanë arritur të ikin.
“Luftëtarët e Shtetit Islamik kanë sulmuar një grumbull të madh të të krishterëve në Krasnogorsk jashtë kryeqytetit rus, duke vrarë dhe plagosur qindra dhe duke shkaktuar dëme të mëdha aty përpara se të tërhiqeshin në bazat e tyre të sigurt”, thuhet në njoftimin e ISIS-it. BBC ka raportuar se në të kaluarën ka pasur raste kur ISIS-i e ka marrë përgjegjësinë edhe për sulmet që s’i ka kryer vetë.





