Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani është ndaluar nga Policia e Maqedonisë së Veriut, me një fletarrest të lëshuar nga Serbia.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik se është informuar për arrestimin e një shtetasi kosovar nga Policia e Maqedonisë së Veriut bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia. Fjala është për z. Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për KP.
Nga MPJD kanë thënë se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja është angazhuar intensivisht për ta trajtuar këtë rast.
“Ambasadori ynë në Maqedoninë e Veriut, z. Qehaja, është angazhuar intensivisht për të trajtuar këtë rast dhe si MPJD Jemi duke punuar me autoritetet maqedonase për të siguruar lirimin e shpejtë të z. Ramadani”, thuhet më tutje në përgjigje.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kanë thënë se do të informojnë publikun për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast.
Duhet theksuar se gjatë qershorit në Merdarë ishte arrestuar Tefik Mustafa.
Në një komunikatë për media, MPB-ja serbe theksoi se Mustafa, “si pjesëtar i UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], në deklaratat e dëshmitarëve përmendej si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.
“Personi do të dorëzohet në Prokurorinë për Krime Lufte”, tha Daçiq, sipas komunikatës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) e ka dënuar si arbitrar arrestimin e tij duke thënë se i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë në lirimin e tij të menjëhershëm.
Në një komunikatë për media, MPJD tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovë në Serbi u njoftua të shtunën për arrestimin Tefik Mustafës nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar Merdarë, për krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare, gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Paraprakisht, Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi për media të shtunën pasdite për arrestimin e Mustafës.
Ministria kosovare tha se e dënon “ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Tefik Mustafa”.
Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.
Më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike gjithashtu, nën dyshimet “për krime lufte” më 1999 – akuza që u hodhën poshtë nga familjarët e tij.
Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj.
Familjarët e tij thonë se akuzat kundër Durakut nuk qëndrojnë, pasi ai, para luftës në vitin 1999, ka jetuar me familjen e tij në Angli.
Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës./Telegrafi/