Ish-gjenerali i forcave amerikane në Evropë, Frederic Ben Hodges, ka folur për situatën e sigurisë në rajon dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai gjithashtu është pyetur edhe për emërimin e emisarit britanik për Ballkanin Perëndimor dhe nëse do të jetë e mundur që Britania e Madhe, Amerika dhe Evropa të punojnë bashkë në çështjen e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Express.
Hodges ka thënë se SHBA’ja duhet të ketë një strategji të duhur për Ballkanin Perëndimor dhe thekson se NATO-ja duhet të përsërisë disa herë që misioni i KFOR-it në Kosovë është për të qëndruar dhe se nuk do të largohet.
“Do të ishte e rëndësishme për BE-në, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në dhe NATO-n që të kenë një qëndrim të përbashkët për atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor. Është në interesin e të gjithëve që të kemi rritje të stabilitetit ekonomik dhe të sigurisë në rajon. Duhet të punojmë të gjithë në një mënyrë kompatibile, për të gjitha çështjet kyçe të BE-së. Për të qenë serioz për integrimin në BE- dhe për të gjetur një mënyrë për të mbështetur përpjekjet e Serbisë dhe shteteve tjera për t’u zhvilluar dhe modernizuar. Unë mendoj se SHBA-ja duhet ta ketë strategjinë e duhur për rajonin, jo ndonjë kalimtare dhe dua gjithashtu të theksoj se NATO duhet ta thotë qartë, përsëri dhe përsëri dhe përsëri që misioni i KFOR-it është këtu për të qëndruar dhe se nuk do të largohet nga Kosova”, ka thënë Hodges për Kosovo Online, transmeton Express.





