Ish-drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar, Basri Sejdiu, është intervistuar nga Komisioni Hetimor për menaxhimin e pandemisë.
Sejdiu ka pohuar se sa ka qenë në krye të këtij institucioni ka pasur vonesa e gabime në testime me COVID-19.
Madje, siç ka treguar ai, rezultatet janë vonuar deri në pesë ditë, e me raste ka pasur edhe gabime, kur një ditë pacientët kanë rezultuar pozitiv, ndërsa të nesërmen negativ.
Ish-kreu i SHSKUK-së po ashtu ka thënë se ka pasur edhe mungesë oksigjeni, derisa sfidë të madhe ka përmendur edhe vonesën në sigurimin e materialeve shpenzuese.
Gjatë intervistimit në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë, tha se furnizimet e para prej Ministrisë së Shëndetësisë i kanë marrë në muajin prill, për çka theksoi se deri në atë kohë po funksionin me materiale vetanake.
Sejdiu tha kjo ka qenë sfidë e madhe, duke shtuar se kjo MSh është informuar për të gjitha kontratat dhe sa ka furnizim, e për këtë ai tha se kanë pasur kërkesa të shumta për furnizim me material shpenzues.
Ai para anëtarëve të komisionit, tha se nuk kanë bërë kërkesa specifike, e as për blerje të morfinës.
Veç tjerash, theksoi se Ministria e Shëndetësisë deri në gjysmën e qershorit e ka pasur përgjegjësinë për blerje.
“Duke parë që procedurat e prokurimit po zvarriten në Ministri të Shëndetësisë kemi ndërmarrë hapa konkret, kemi bërë porosinë e të gjithë materialeve nga TM3, TM2 në TM1 që llogarisim që ai material është më se i domosdoshëm në periudhën e përballjes me COVID. Maska, mantilla steril, dhe një blerje emergjente e cila ka qenë me veshje specifike. Kjo ka filluar shkurti, me këto përgatitje. Dhe pacienti i parë me COVID pozitiv, ka qenë ekskluzivisht me forca të ShSKUK-së, pa mbështetjen e materialeve nga Ministria e Shëndetësisë. Dhe kjo ka ndodhur më vonë, shumë më vonë, nga Ministria e Shëndetësisë, diku dy muaj. Dhe përballjen e parë e kemi pasur me forca vetanake”.
Para anëtarëve të komisionit ka treguar se gjatë kohës sa ka qenë në krye të ShSKUK-së, janë formuar klinikat prioritare, me qëllim të menaxhimit më të mirë të pandemisë COVID-19.
Kjo sipas tij, u ka ndihmuar me furnizimin dhe mobilizimin me aparatura të nevojshme për trajtim intensiv.
Sipas Sejdiut, pacienti i parë me COVID është trajtuar me materiale vetanake, sepse mbështetja e MSh-së ka ardhur pas gati dy muajve.
“Sfidë ka qenë në vazhdimësi furnizimi me material shpenzues. Edhe një herë po them shfrytëzimi i kontratave të cilat i kemi ekzistuese dhe kërkesa nga operatorët ekonomikë që të na i sjellin furnizimet nga TM3, TM2 në TM1 ka qenë shpëtimi më i madh… Krijimi i dhomave triazhuese me emergjencë dhe Klinikë Infektive, Pulmologji dhe Pediatri na ka ndihmuar shumë edhe të kursejmë material, por edhe ta mbrojmë stafin nga infeksioni. Paralelisht kemi bërë edhe edukim të stafit, diku 800 infermierë janë trajnuar në vazhdimësi për mënyrën se si do ta bëjnë veshjen e këtyre rrobave specifike, paralelisht kemi bërë edhe trajnimin e mjekëve për shfrytëzim të respiratorëve, gjegjësisht ventilatorëve”.
Basri Sejdiu, ka pohuar se gjatë kohës sa ka qenë në krye të ShSKUK-së, ka pasur gabime dhe vonesa në testime.
“Problem më të madh që e kemi pasur në atë kohë është edhe testimet nga Instituti i Mikrobiologjisë. Neve na kanë ardhur me vonesa, kemi kërkuar vazhdimisht kemi bërë shkresa tek drejtor Xhevati që të prioritizojë pacientët e shtrirë në emergjencë, në mjekim intensiv që të kenë prioritet rezultatet. Ka ndodhur vonesa deri në katër ditë, pesë ditë, vazhdimisht kemi shkruar dhe jemi ankuar. Dhe kjo neve na ka ndikuar mjaft shumë, për arsyeje se rezultati i vonuar ka ndikuar që të infektohet stafi, të infektohet shumica e klinikave. Mandej gabimet e shpeshta kemi pasur, pozitiv, nesër negativ, ose e kundërta. Kjo ka ndikuar që të infektohen edhe pacientët e tjerë ose stafi”.
Sipas tij, bordi ka qenë pengues në punën e tij, duke shtuar se udhëheqja e tanishme ka filluar me keq-menaxhim pas shkarkimit të tij. Ai tha se prioritizimi i klinikave ka ndihmuar në menaxhimin e pandemisë, por që tani po ndodhin gabime në këtë aspekt.
Nënkryetari i komisionit, Bekim Haxhiu ka përmendur edhe dallimet e çmimeve për doreza, maska e thasë të kufomave mes Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ju jeni furnizuar me çmim 0,02 cent për doreza, për maska e keni pasur kontratën që i keni blerë para marsit me 0, 016 cent. A është kështu? “Po”. Dhe kontratat e reja që janë ardhur nga ministria për doreza është 52 cent edhe për maska 56 cent për maska kirurgjikale, ndërsa 8 euro e 50 cent për maska respiratore. A është kështu? Sepse është diferencë e madhe…Po më intereson sepse po i referohemi një çmimi që ka qenë që jeni furnizuar deri në shkurt-mars. Çmimi i thasëve të kufomave ka qenë tek ju 8 euro, ndërsa ministria ka blerë 27 euro e 50 cent”.
Sejdiu ka pohuar që ka pasur edhe mungesë të oksigjenit, e që për këtë po heshtin edhe bordi për furnizimin e oksigjenit pa licencë.
Pak pas fillimit të intervistimit të Basri Sejdiut, në mungesë të kuorumit, nënkryetari Bekim Haxhiu ka ndërprerë këtë mbledhje.
Telashet me kuorum i kishin shkaktuar deputeti Ekrem Hyseni, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku dhe Labinotë Demi-Murtezi/KP.