Ish-ambasadori i Serbisë në Këshillin e Europës, Zoran Milivojeviq, sheh një rivalitet mes ndërkombëtarëve për planin franko-gjerman. Ai deklaron se ekziston një synim i Berlinit për ta marrë në dorë zgjidhjen e këtij problemi, por sipas tij është e qartë se SHBA-ja nuk do ta lejojë këtë.
Ish-diplomati serb tha se takimi i dështuar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel ka treguar definitivisht se BE-ja nuk mund ta udhëheqë atë proces.
Ai për mediumin serb “Politika” u deklarua se Kosova kontrollohet nga SHBA-ja, duke theksuar faktin se kryeministri Kurti e pranoi kërkesën e amerikanëve për ta shtyrë për 48 orë gjobitjen e shoferëve që mbajnë targa të lëshuara nga Serbia në automjetet e tyre.
“Amerika edhe një herë ka treguar se kontrollon Prishtinën, se ka ndikim vendimtar në Kosovë dhe se rezervon të drejtën të jetë arbitri përfundimtar”, thotë Milivojeviq, duke theksuar se “një lloj rivaliteti me planin Macron-Scholz është në horizont”.





