Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa ka paralajmëruar shkuarjen në zgjedhje të reja, menjëherë pas atyre të 14 shkurtit, në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Ai për televizionin publik ka thënë se formimi i institucioneve të reja pas 14 shkurtit kësaj radhe do të jetë më e ndërlikuar, pasi nevojiten 80 vota për zgjedhjen e shefit të ri të shtetit.
“Formimi i institucioneve kësaj radhe është më i ndërlikuar, pasi nuk mund të mendohet se ato mund të kryhen me 61 vota, por me 80 vota për zgjedhjen e presidentit. Kush mund t’i bëjë 80 vota, është një çështje e ndërlikuar. Në momentin që dështojmë ta zgjedhim presidentin, atëherë shkojmë në zgjedhje”, u shpreh Mustafa.
Ai ka folur edhe për largimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja dhe hyrja në listën e Vetëvendosjes, duke thënë se një vendim i tillë ka qenë kryekëput i saj ‘për të luftuar për pozita’.
“S’mund të jesh edhe rugoviste edhe me Vetëvendosjen”, është shprehur Mustafa.
Mustafa ka kërkuar zbatimin e ligjit nga të gjithë kandidatët për deputetë që nuk janë certifikuar nga KQZ-ja për marrjen pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit, për shkak se kanë kryer vepra të ndryshme penale në tri vjetët e fundit.
Pjesë e listës prej 47 deputetëve që nuk janë certifikuar është edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ky i fundit ka kandiduar për parin e Qeverisë së re të vendit, por ai nuk është certifikuar pasi që në aktgjykimin e plotë të Kushtetueses për rrëzimin e Qeverisë Hoti thuhet se në zgjedhjet e reja nuk mund të marrin pjesë personat që kanë qenë të dënuar në tri vjetët e fundit.
Mustafa ka thënë se ligji është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i kësaj të fundit duhet të pranohet.
Ai ka thënë se nuk mundet një person të jetë pjesë e listës nëse nuk është certifikuar nga KQZ-ja.
“Albin Kurti duhet të sillet si çdo qytetar i Kosovës dhe të zbatojë ligjin”, tha Mustafa.
Ai ndërkaq nuk ka dashur të komentojë rezultatet e mundshme që mund të marrë LDK-ja më 14 shkurt, duke thënë se situatën në parti e kanë stabile, teksa kandidimin e Avdullah Hotit për kryeministër e ka quajtur si një zgjidhje optimale.
Mustafa ndërkaq thotë se nuk u beson sondazheve të fundit të cilat Lëvizjen Vetëvendosje e vendosin bindshëm në vendin e parë, duke thënë se janë qytetarët ata që do të përcaktojnë fituesin më 14 shkurt.
“Vetëvendosje po na kthen në një sistem që nuk ka asgjë të përbashkët me sistemin e përbashkët të tregut”, është shprehur ai.