LAJME

Irani shtrëngon kontrollin ndaj Hormuzit pasi SHBA-ja u tërhoq nga sulmet e reja

Irani shtrëngon kontrollin ndaj Hormuzit pasi SHBA-ja u tërhoq nga sulmet e reja
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Prill 2026, 07:51

Irani ka sekuestruar të mërkurën dy anije në Ngushticën e Hormuzit ndërsa po forcon kontrollin mbi këtë rrugë ujore strategjike, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se po pezullonte për një kohë të pacaktuar sulmet, pa asnjë shenjë që bisedimet për paqe po rifillonin.

Statusi i armëpushimit dyjavor, që duhej të kishte skaduar të mërkurën, mbetet i paqartë. Në një kthesë të papritur vetëm disa orë pasi kishte kërcënuar me dhunë të re, Trumpi bëri një njoftim të martën që dukej si i njëanshëm, se SHBA-ja do ta zgjaste armëpushimin derisa Irani të paraqiste propozime konkrete për t’u dhënë fund të gjitha armiqësive. 

Por zyrtarët iranianë nuk kanë thënë se kishin rënë dakord për ndonjë zgjatje të armëpushimit dhe kritikuan vendimin e Trumpit për të mbajtur bllokadën detare të Marinës së SHBA-së ndaj tregtisë së Iranit, të cilën Irani e konsideron një akt lufte. 

Kryetari i parlamentit iranian dhe negociatori kryesor, Mohammad Baqer Qalibaf, ka thënë se armëpushimi i plotë do të kishte kuptim vetëm nëse bllokada hiqej.

Rihapja e Ngushticës së Hormuzit, ngushtica e rëndësishme përmes së cilës kalonte një e pesta e tregtisë botërore të naftës para luftës, ishte e pamundur me një “shkelje kaq flagrante të armëpushimit”, sipas Qalibaf i cili ka shkruar në rrjetet sociale.

“Nuk i arritët qëllimet tuaja përmes agresionit ushtarak dhe nuk do t’i arrini as përmes presionit”, ka shkruar aui në reagimin e tij të parë ndaj njoftimit të Trumpit.

“E vetmja rrugë është njohja e të drejtave të popullit iranian”, ka shtuar ai. 

Në një tjetër zhvillim në Pentagon gjatë kohës së luftës, sekretari i Marinës John Phelan është shkarkuar, sipas një zyrtari amerikan dhe një personi të njohur me çështjen. Ky veprim erdhi vetëm disa javë pasi Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte larguar gjeneralin më të lartë të ushtrisë.

Pentagoni ka njoftuar se Phelan po largohej nga administrata “me efekt të menjëhershëm”, por nuk ka dhënë arsye dhe as nuk ka sqaruar nëse ishte vendimi i tij për t’u larguar.

Trumpi është tërhequr përsëri nga kërcënimet e tij të përsëritura për të bombarduar centralet energjetike të Iranit dhe infrastrukturën tjetër civile, për të cilat Kombet e Bashkuara dhe të tjerë paralajmërojnë se do të shkelnin të drejtën ndërkombëtare humanitar. Por pak përparim është bërë në përfundimin e luftës që filloi me sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt.

Kjo i lë të dyja palët në një situatë pritjeje, teksa Ngushtica e Hormuzit është ende praktikisht e mbyllur, e kjo situatë po vazhdon të ushtrojë presion mbi ekonomitë në mbarë botën./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika