LAJME

IQMT “pastron” tregun në pranverë: Konfiskohen qindra produkte të rrezikshme për konsumatorët

IQMT “pastron” tregun në pranverë: Konfiskohen qindra produkte të rrezikshme për konsumatorët
TV Prizreni
TV Prizreni
20 Prill 2026, 09:17

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet në të gjithë vendin me ardhjen e stinës së pranverës, duke synuar rritjen e sigurisë së produkteve në treg dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas njoftimit zyrtar, fokusi i inspektimeve ka qenë tek produkte me rrezik potencial për shëndetin dhe sigurinë, përfshirë makineritë, pajisjet personale mbrojtëse, lodrat për fëmijë dhe artikuj të tjerë të ndjeshëm për përdorim të përditshëm.

Si rezultat i kontrolleve në terren, inspektorët e IQMT-së kanë identifikuar dhe larguar nga tregu një sasi të konsiderueshme produktesh që nuk përmbushnin standardet e kërkuara. Produktet janë sekuestruar në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryesisht për mungesë të dokumentacionit teknik dhe tejkalim të afatit të përdorimit.

Ndër produktet e konfiskuara përfshihen:

  • 13 makina shpimi (trapanë)
  • 5 gërryese këndore
  • 426 disqe për prerjen e hekurit dhe betonit
  • 251 jelekë sinjalizues
  • 114 helmeta pune
  • 176 maska saldimi
  • 11 njësi ngjyrash dhe llaqe
  • 931 lodra për fëmijë

IQMT thekson se do të vazhdojë me kontrolle të shtuara për të garantuar një treg të sigurt, ndërsa u bën thirrje operatorëve ekonomikë të respektojnë standardet dhe kërkesat ligjore për sigurinë e produkteve.

Po ashtu, qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo rast të dyshuar për produkte të pasigurta, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në treg.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika