Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të derivateve të naftës, është duke realizuar mbikëqyrje intensive lidhur me zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse të nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari Lila, me datë 04.03.2026, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg.
Gjithashtu, bëhet e ditur se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës është duke realizuar analiza të të dhënave lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.
MINT njofton se sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së shtunë (datë: 07.03.2026), ka qenë si në vijim:
- Naftë (Dizel): 1.40 €/litër;
- Benzinë: 1.14 €/litër;
Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor nga dita e shtunë e deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë thuhet se rezultojnë si më poshtë:
- Naftë (Dizel): nga 1.39 €/litër deri në 1.55 €/litër;
- Benzinë: nga 1.27 €/litër deri në 1.32 €/litër;
MINT thekson se bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse, është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon:
- 2 eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe
- 12 eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.
Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka qenë në terren gjatë vikendit edhe gjatë ditëve të javës së kaluar, IQMT do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës e po ashtu edhe inspektimin në pajisje matëse, së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës. Kështu që në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, si mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët, do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi. Për çdo zhvillim të mëtejmë, qytetarët e Republikës së Kosovës do të njoftohen me kohë” – thuhet në fund të njoftimit.