Në 17 vendpunishte janë ndaluar punimet me vendim të Inspektoratit Qendror të Punës, në ditën e 12-të të inspektimeve.
Ky aksion është marrë me vendim të Ministrisë së Punës në sektorët me rrezikshmëri të lartë në gjithë territorin e Kosovës.
Në përfundim të aksionit, të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve me automatizëm janë procesuar në Gjykatat për kundërvajtje, përkitazi me shkeljet e konstatuara.
Sipas Ministrisë janë bërë 46 inspektime dhe 37 ri-inspektime.
“Në 17 vendpunishte u ndaluan punimet, ndërsa në 9 sosh u lejuan”, bëhet e ditur në informacionet e publikuara.
Inspektorati ka shqiptuar 20 vërejtje dhe ka regjistruar 14 raste të eliminimit të parregullsive.
Që prej fillimit të vitit kanë vdekur në vend të punës 9 punëtorë, i fundit nga të cilët javën që shkoi.
Ministria e Punës ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm 15-ditor për t’i inspektuar vendpunishtet.
Ka të dhëna të ndryshme për numrin e të vdekurve në vend pune gjatë vitit të shkuar. Sipas Inspektoratit, 19 punëtorë kanë humbur jetën e sipas Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, ky numër është mbi 30.
