Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka zhvilluar sot një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës.
Qëllimi i këtij aksioni, sipas njoftimit zyrtar, ishte mbikëqyrja e zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të produkteve të naftës dhe vendosjen e masave mbrojtëse, me fokus tek mbrojtja e konsumatorëve, rritja e transparencës në treg dhe sigurimi i konkurrencës së ndershme.
“Aksioni u zhvillua mbi bazën e vendimit të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe u përqendrua tek mbi 25 operatorë ekonomikë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë tregtarët e derivateve për transport”, thuhet në njoftim.





