Sindikata e Pavarur e RTK-së njoftoi të martën se Inspektorati i Punës e ka dënuar Radiotelevizionin e Kosovës me tre mijë euro gjobë për degradimin e jashtëligjshëm të kryetarit të Sindikatës, Fadil Hoxha.
Në vendimin e Inspektoratit, RTK obligohet që në afat prej tetë ditësh ta paguajë këtë dënim, në të kundërtën do të iniciohet procedurë përmbarimore.
“SPRTK e mirëpret këtë vendim të Inspektoratit për ndëshkimin e paligjshmërisë, por në anën tjetër është e shqetësuar për dëmin financiar që po i shkaktohet Radiotelevizionit të Kosovës për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Menaxhmentit”, thuhet në komunikatën për media.





