LAJME

Inspektorati i Punës ndalon punimet në 12 vendpunishte në pesë komuna

Inspektorati i Punës ndalon punimet në 12 vendpunishte në pesë komuna
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Gusht 2026, 09:00

Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 12 vendpunishte në komunat e Skenderajt, Mitrovicës, Vushtrrisë, Prizrenit dhe Ferizajt, pas konstatimit të shkeljeve të rënda të rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas Inspektoratit, kontrollet janë realizuar në kuadër të mbikëqyrjes së vazhdueshme të zbatimit të legjislacionit të punës dhe standardeve të sigurisë në vendet e punës.

“Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Qendror të Punës.

Për shkak të parregullsive të evidentuara, inspektorët kanë urdhëruar ndërprerjen e punimeve në të gjitha 12 vendpunishtet, ndërsa aktivitetet nuk do të mund të rifillojnë pa u eliminuar shkeljet dhe pa u krijuar kushte të sigurta për punë.

“Rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë”, njoftoi IQP.

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, duke theksuar se nuk do të tolerohen shkelje që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika