Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK) në Prizren ka dorëzuar Raportin e Rivlerësimit të Aseteve të Trashëgimisë Kulturore Arkitekturore në Komunën e Dragashit për vitin 2026, duke nxjerrë në pah gjendjen dhe nevojat për mbrojtjen e 12 aseteve të evidentuara në regjistrat e trashëgimisë kulturore.
Raporti iu dorëzua zyrtarisht kryetarit të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, gjatë një takimi me drejtorin e QRTK Prizren, Samir Hoxha, drejtues dhe staf të kësaj qendre, si dhe drejtoreshën e Kulturës në Komunën e Dragashit, Liridona Misinaj.
Sipas të dhënave të raportit, në Regjistrin e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, në kategorinë e trashëgimisë arkitekturore dhe nënkategorinë Monument–Ansambël, Komuna e Dragashit ka të evidentuara 11 asete, ndërsa në Regjistrin e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme figuron 1 aset.
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen e këtyre aseteve, nevojat e evidentuara gjatë procesit të rivlerësimit, si dhe rekomandimet për mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe ruajtjen e tyre. Raporti përmban gjithashtu rekomandime për ruajtjen e vlerave arkitektonike e historike dhe për përfshirjen e trashëgimisë kulturore në ofertën turistike dhe kulturore të komunës.
Drejtori i QRTK Prizren, Samir Hoxha, tha se raporti ofron një pasqyrë më të qartë të gjendjes së trashëgimisë kulturore në Dragash dhe krijon bazë për identifikimin e ndërhyrjeve konkrete.
“Raporti na jep një pasqyrë më të qartë të gjendjes së trashëgimisë kulturore në Komunën e Dragashit. Hapi i radhës është që, së bashku me institucionet lokale, të identifikojmë mundësitë për ndërhyrje dhe mirëmbajtje konkrete aty ku paraqiten nevoja”, deklaroi Hoxha.
Nga Komuna e Dragashit u bë e ditur se kryetari Xheladini e ka pranuar raportin në kuadër të bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ai falënderoi ekipin e QRTK-së për bashkëpunimin dhe shprehu gatishmërinë e komunës për të ndërmarrë hapa konkretë në funksion të mbrojtjes së këtyre aseteve.
Xheladini theksoi se ruajtja e trashëgimisë kulturore është e rëndësishme jo vetëm për mbrojtjen e vlerave historike dhe arkitekturore, por edhe për zhvillimin kulturor e turistik të Dragashit dhe për përcjelljen e këtyre vlerave te brezat e ardhshëm.
Në takim u vlerësua gjithashtu se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale është thelbësor për adresimin e nevojave të trashëgimisë kulturore, veçanërisht sa i përket mirëmbajtjes së vazhdueshme, identifikimit të ndërhyrjeve të nevojshme dhe promovimit të aseteve.
QRTK Prizren, e cila mbulon me përgjegjësi institucionale territorin e komunave Prizren, Dragash, Suharekë, Rahovec, Malishevë dhe Mamushë, po vazhdon procesin e rivlerësimit dhe monitorimit të gjendjes së aseteve të trashëgimisë kulturore në këtë rajon.