Inspektorati Qendror i Punës ka zhvilluar një aksion të jashtëzakonshëm inspektues në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke u fokusuar në sektorët me rrezikshmëri të lartë, në zbatim të vendimit të ministrit të MPFVLÇ-së dhe mandatit të tij ligjor.
Gjatë këtij aksioni, janë ndaluar gjithsej 126 punime, ndërsa masat e shqiptuara përfshijnë edhe procedurat për kundërvajtje, të cilat automatikisht dërgohen në Gjykatën për Kundërvajtje për shkeljet e konstatuara.
Sipas Inspektoratit, subjektet ndaj të cilave është vendosur masa e ndalimit do t’i nënshtrohen riinspektimeve në ditët në vijim, me qëllim verifikimin e eliminimit të parregullsive. Eliminimi i parregullsive nënkupton përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe shëndetit në punë (SSHP).
Institucioni gjithashtu ka sqaruar se rastet kur punimet vazhdojnë pavarësisht ndalimit, si dhe dëmtimi i shiritit ndalues, trajtohen si shkelje të veçanta dhe mund të procedohen edhe në polici.
Të dhënat e paraqitura i referohen gjendjes deri më 30 prill 2026, ndërsa aksioni ka vazhduar edhe pas kësaj date me monitorim dhe riinspektime në terren.