Iniciatori i peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit, Adnan Jashari, shpreson që deputetët e Kuvendit të Kosovës të respektojnë kërkesën e 21 mijë e 398 qytetarëve.
Jashari, tha se deputetët duhet të kenë parasysh që kjo është kërkesë ekskluzivisht e qytetarëve dhe jo e një partie opozite.
“Shumica e qytetarëve në komunat ku kemi qenë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të nënshkruar këtë peticion dhe janë arritur 21 mijë e 398 nënshkrime për ta riproceduar projektligjin përsëri në Kuvendin e Kosovës. Ne presim që kësaj radhe pasi kërkesa është ekskluzivisht prej qytetarëve të Kosovës dhe nuk është direkt nga një parti opozitare presim që deputetët e Kuvendit t’i thonë PO dhe të votohet herën e ardhshme kur të dalë në votim”.
“Shpresoj që ky peticion t’iu ndryshojë mendje, duke pasur parasysh që herën e kaluar kur dështoi akuzat ishin se ndoshta opozita po tenton të mashtrojë popullin e Kosovës apo po del kundër Qeverisë së Kosovës me krijimin e projektligjit për Trustin. Por, tash që edhe qytetarët janë shprehur pro me nënshkrimin për tërheqje është e drejtë kushtetuese ligjore. Presim që ky numër i qytetarëve që kanë nënshkruar të arrijë te veshët e deputetëve”.





