LAJME

“InHUMAN” shfaqet në Hungari – Teatri “Bekim Fehmiu” me premierë ndërkombëtare

“InHUMAN” shfaqet në Hungari – Teatri “Bekim Fehmiu” me premierë ndërkombëtare
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Maj 2026, 15:53

Trupa artistike e Teatrit të Qytetit ”Bekim Fehmiu” po qëndron në Hungari, ku nesër nga ora 19:00 do të japë premierën hungareze të shfaqjes “InHUMAN”, një bashkëprodhim ndërkombëtar mes Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu”, Maladype Theatre dhe Qendra Multimedia.

Shfaqja do të prezantohet në Mettrin Art Center, ku pritet të marrin pjesë shumë mysafirë, artistë dhe personalitete të njohura nga skena kulturore hungareze. Kjo premierë konsiderohet një moment i rëndësishëm për teatrin kosovar dhe për bashkëpunimet kulturore ndërkombëtare.

“InHUMAN” është një projekt teatror që trajton temat e njeriut bashkëkohor, krizën humane, izolimin emocional dhe raportin e individit me realitetin modern. Përmes një gjuhe skenike të fuqishme, shfaqja sjell reflektim mbi humbjen e ndjeshmërisë njerëzore dhe sfidat morale të kohës sonë.

Projekti kishte nisur fillimisht në Prizren në maj të vitit 2025, për të vazhduar më pas në muajin gusht me rezidencën artistike dhe përgatitjet në Bánk tê Hungarisë. Pas procesit disa mujor të punës intensive ndërmjet artistëve kosovarë dhe hungarezë, premiera e parë e shfaqjes ishte dhënë në Prizren, ku kishte zgjuar interesim të madh të publikut dhe kritikës.

Ky bashkëprodhim shënon një ndër projektet e para të Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” me një teatër evropian, duke hapur një kapitull të ri bashkëpunimi artistik dhe shkëmbimi kulturor ndërkombëtar. Autorë të tekstit të shfaqjes janë Jeton Neziraj dhe Shpëtim Selmani, dy emra të njohur të dramaturgjisë bashkëkohore shqiptare, të cilët përmes stilit të tyre artistik sjellin një narrativë të fortë sociale dhe politike.Regjinë e shfaqjes e ka realizuar Zoltán Balázs, ndërsa muzika dhe drejtimi muzikor janë realizuar nga Memli Kelmendi, i cili ka krijuar një atmosferë të veçantë muzikore që e shoqëron fuqishëm dramën skenike. Përfaqësimi i kësaj shfaqjeje në Hungari shihet si një sukses i rëndësishëm për artin dhe teatrin kosovar, duke dëshmuar se produksionet vendore po fitojnë gjithnjë e më shumë hapësirë në skenën ndërkombëtare.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika