Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka ftuar Inspektoratin e Punës, Ministrinë e Shëndetësisë, dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) që të hetojnë, siç thuhet mënyrën e lirimit nga puna të rreth 600 punëtorëve të QKUK-së për në ekskursion në Shqipëri gjatë ditë së premte.
Përmes një reagimi, kjo sindikatë thotë se me këtë veprim është rrezikuar dhënia e shërbimeve ndaj qytetarëve, derisa barra e punës i është lënë stafit mbështetës.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës fton publikisht Inspektoratin e Punës, Ministrinë e Shëndetësisë, SHSKUK dh Bordin e SHSKUK-së që ne urgjentisht të hetohet mënyra e lirimit nga puna të rreth 600 punëtorëve të QKUK-së për në ekskursionin në Shqipëri gjatë ditë së sotme. Sindikata e Infermierëve të Kosovës e kupton nevojën e profesionistëve shëndetësor për sadopak relaks pas gjithë stresit të akumuluar gjatë periudhës me pandeminë COVID-19 dhe është pro aktiviteteve të cilat e lehtësojnë ngarkesën psikologjike të të gjithë atyre që gjatë këtyre muajve dhanë maksimumin e tyre në shërbim të qytetarëve. Sindikata e Infermierëve të Kosovës në anën tjetër konsideron që me këtë veprim është rrezikuar dhe kufizuar pa të drejtë dhënia e shërbimeve qytetarëve, ndërsa barra e punës iu është lënë stafit mbështetës të cilët tash e 3 muaj nuk kanë paga, ndërsa tani pritet që të mbesin edhe pa punë”, thuhet në reagim.
Në reagim thuhet po ashtu se për të fituar poena brenda komuniteteve, shërbimet nuk duhet kufizuar apo rrezikuar në asnjë rast dhe për asnjë çmim.
“’Betejat’ sindikale fitohen përmes plotësimit të kërkesave të atyre që përfaqësojmë, rregullimit të statusit social dhe përmirësimit të mirëqenies sociale dhe ekonomike të atyre që përfaqësojmë, e jo duke ndëshkuar qytetarë për teka dhe protagonizëm. Si organizatë sindikale konsiderojmë që është thelbësore edhe investigimi i participimit dhe të së drejtës për participim, pjesëmarrjes dhe keqpërdorimit të parasë publike me qëllim të rritjes së numrit dhe ekspozesë. Shoqatat sindikale konsiderojmë që përveç egos dhe ambicieve për primat, duhet të kenë edhe një dozë morali në raport me qytetarë dhe dinjitet me rastin e zhvillimit të aktiviteteve sindikale. Sindikata e Infermierëve të Kosovës konsideron që me e drejtë dhe e moralshme do ishte organizimi i një eventi si shenjë falënderimi për të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuan gjatë pandemisë COVID-19, ndarjes së mirënjohjeve publike, qoftë edhe me mbrëmje solmne ( muzikë ), mirëpo në kohë kur nuk kufizohen shërbimet, nuk mbingarkohet stafit tjetër dhe nuk iu mbetet barra atyre që janë skajshmërisht të diskriminuar dhe të papunë potencial”, përfundon reagimini sindikatës së infermierëve.