Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka thënë se varianti Delta është mjaft i rrezikshëm dhe ka mundësi që të përhapet në masë të madhe.Vishaj shtoi se është e mundur edhe paraqitja e valëve të tjera të virusit në vjeshtë, duke shtuar se vaksinimi është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur.“Padyshim që varianti Delta është i rrezikshëm sepse ka mundësi të madhe që të përhapet në masë. Mirëpo, vaksinimi i popullatës është i rëndësishëm, që një gjë e tillë të mos ndodh.”
“Besoj se me vaksinimin masiv valët që pritet të vijnë do të jenë të një intensiteti më të pranueshëm dhe më lehtë të menaxhueshme. Është e mundur paraqitja e valëve në vjeshtë, mirëpo nëse popullata vaksinohet, këto valë që pritet të vijnë nuk do të jenë të një intensiteti çfarë ishin më parë”.Vishaj theksoi se nëse rritet numri i pacientëve të infektuar dhe personave që refuzojnë të vaksinohen, opsioni i vetëm është mbyllja e vendit.
“Nëse kemi një numër të madh të pacientëve të infektuar dhe njerëzve që nuk i binden vaksinimit, mbyllja e vendit duhet të jetë si opsion. Vaksinimi është mjeti i duhur dhe e vetmja mënyrë që neve na mbron nga ardhja e valëve tjera të ashpra, të cilat përshkruhen me numër të madh të pacientëve të sëmurë dhe me humbje të jetëve”.
Sipas tij, efektet anësore janë shumë minimale në raport dobitë e vaksinave.“Efektet anësore janë aq shumë minimale në raport me të mirën që e sjellin vaksinat. Është e vërtetë se një numër i pacientëve dita ditës po shkon duke u zvogëluar, të cilët kanë pasur hezitime të veta të vaksinimit. Kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera, por me vetëdijesim të popullatës një gjë e tillë do të arrihet që popullata të vaksinohet sa më shumë që të jetë e mundur”.Ai tha se vaksinat janë jashtëzakonisht të sigurta sepse njerëzit që vaksinohen në të ardhmen mund të infektohen, por nuk zhvillojnë formën e rëndë klinike, raporton EO.“Unë po besoj që ka mirëkuptim sepse popullata e vendit tonë në situatat më të rënda gjithmonë ka bërë zgjidhjet më të mira të mundshme. Edhe në këtë rast qytetarët do ta bëjnë zgjidhjen e duhur për t’u vaksinuar sepse në këtë mënyrë mbrojmë veten dhe familjen”.“Vaksinat janë jashtëzakonisht të sigurta sepse njerëzit që vaksinohen në të ardhmen mund të infektohen, por nuk zhvillojnë formën e rëndë klinike. Për momentin kemi medikamente të mjaftueshme në trajtimin e pacientëve tanë. Nëse na vije një fluks shumë i madh vështirësitë mund të na paraqiten dhe në mënyrë që të mos na paraqiten një fluks i tillë i njerëzve, neve na duhet ndihma e qytetarëve, që të vaksinohen”.