Organizata prestigjioze “Instituti për Paqe dhe Ekonomi” me 19 qershor të këtij viti ka publikuar Indeksin Global të Paqes 2025, një raport të detajuar për të gjitha shtetet e botës, përfshirë edhe Kosovën, raporton Gazeta Express.
Në këtë raport paraqitet një analizë gjithëpërfshirëse e bazuar në të dhënat për trendet rreth paqes, vlerën e saj ekonomike dhe mënyrën e zhvillimit të shoqërive paqësore. Për këtë raport janë përdorur 23 tregues cilësorë e sasiorë për të matur gjendjen e paqes në tri fusha, për nivelin e sigurisë shoqërore, shkallën e konfliktit të vazhdueshëm vendor dhe ndërkombëtar dhe shkallën e militarizimit.
Në renditjen e përgjithshme, Kosova ka shënuar një përkeqësim prej 3 vendesh duke u renditur në pozitën e 63- dhe gjendet në pjesën e mesit të tabelës bashkë me Serbinë, Zambinë, Moldavinë, Uzbekistanin, Qipron, Senegalin, Liberinë, Jordaninë, Tanzaninë, Malauin, Francën, Paraguain, Nepalin, Kirgistanin, Taxhikistanin, Republikën Dominikane, Tunizinë, Guinenë Ekuatoriale dhe Bolivinë.
Tek pjesa e konfliktit të brendshëm dhe ndërkombëtar në vazhdimësi, Kosova është poentuar me 1.805 pikë. Sa i përket sigurisë sociale dhe sigurisë së brendshme, Kosova është poentuar me 2.144 pikë. Tek militarizimi, Kosova ka marrë 1.67 pikë.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rënie për një pozitë ka shënuar edhe Serbia e cilat renditet pas Kosovës në vendin e 64-të, derisa Mali i Zi ështe shteti që ka pasur përparimin më të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Mali i Zi shënoi përmirësimin më të madh në rajon, me rezultatin e tij të përgjithshëm që u përmirësua me 2.3 përqind gjatë vitit të kaluar. Kjo u nxit kryesisht nga një përmirësim në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes, pasi treguesi i shkallës së vrasjeve dhe treguesi i shkallës së terrorit politik u përmirësuan përkatësisht me 69.7 dhe 25 përqind. Shkalla e vrasjeve është 0.8 për 100,000 banorë, një nivel rekord i ulët për Malin e Zi. Në tetor 2024, një iniciativë rajonale për të zvogëluar posedimin e paligjshëm të armëve – Udhërrëfyesi për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) në Ballkanin Perëndimor – u miratua për një fazë të dytë pas suksesit të Udhërrëfyesit origjinal për Kontrollin e AVL-ve në Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua në vitin 2018 dhe vendosi objektiva që duhen arritur deri në vitin 2024”, thuhet në raportin e IEP.
Në raportin e vitit 2024, Kosova kishte shënuar progres prej tre vendesh dhe ishte renditur në pozitën e 56-të./GazetaExpress/