LAJME

Incident në Prizren: Turiste japoneze lëndohet pas përplasjes me qen endacak gjatë vizitës kulturore

Incident në Prizren: Turiste japoneze lëndohet pas përplasjes me qen endacak gjatë vizitës kulturore
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Maj 2026, 15:57

Gjatë një turi kulturor në qytetin e Prizrenit, një vizitore nga Japonia ka pësuar lëndime pasi është rrëzuar si pasojë e një incidenti me një qen endacak në qendër të qytetit.

Operatori turistik “Balkan Destination” kërkon masa urgjente për menaxhimin e qenve endacakë dhe përmirësimin e pastërtisë në hapësirat publike

Sipas një reagimi publik nga pronari i kompanisë turistike “Balkan Destination”, Arsim Rexhepi, ngjarja ka ndodhur gjatë vizitës së një grupi turistësh japonezë (grupi me kod JP-150613-9-1), menjëherë pas ndalesës nga Muzeu Gazi Mehmet Pasha.

Sipas raportimeve të guidës lokale, një qen endacak, i cili po ndiqte një mace, ka vrapuar me shpejtësi dhe ka goditur nga prapa një nga turistet, duke e rrëzuar në tokë. Si pasojë, ajo ka pësuar lëndime në kokë dhe në dorën e majtë.

Turistja është dërguar menjëherë në emergjencë, ku ka marrë trajtim mjekësor. Pas ekzaminimeve, mjekët kanë konstatuar hematomë dhe lëndime sipërfaqësore, pa fraktura. Ajo është liruar në gjendje stabile, me rekomandim për monitorim 12-orësh.

Në reagimin e tij, Rexhepi ka theksuar se ky nuk është një rast i izoluar dhe ka ngritur shqetësimin për, siç u shpreh ai, “rritjen e pranisë së qenve endacakë dhe mungesën e pastërtisë në hapësirat publike”, jo vetëm në Prizren por edhe në qytete të tjera të vendit.

Ai ka vlerësuar se kjo situatë po ndikon negativisht në imazhin turistik të Kosovës, duke rrezikuar përvojën e vizitorëve të huaj dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.

Përmes këtij reagimi, kompania kërkon nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa urgjente për menaxhimin e qenve endacakë, përmirësimin e pastërtisë në zonat urbane dhe turistike, si dhe garantimin e sigurisë për qytetarët dhe vizitorët.

“Ne mbetemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të kontribuojmë me rekomandime konkrete për përmirësimin e situatës”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Institucionet ende nuk kanë dhënë një përgjigje publike lidhur me rastin dhe kërkesat e ngritura.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika