Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë thirrje për bartje të maskës dhe vaksinim, në mesin e rritjes së rasteve me koronavirus.
“Omicron po shton intensitetin dhe është varianti dominues në qarkullim. Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura”, thuhet në apelin e IKSHP-së.
IKSHP alarmoi se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim.
“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare”, thuhet tutje në postimin e institutit në Facebook.
Instituti gjithashtu apeloi për vaksinimin me dozën përforcuese.
“Të gjitha të dhënat nga vendet tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pavaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese. Andaj, Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin dhe rastet e rënda klinike”.