Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen për zgjedhjen e presidentit përbën një cenim serioz të rendit kushtetues dhe të rregullave parlamentare.
Në një reagim dërguar mediave thuhet se procesi që duhej të reflektonte standardet më të larta të ligjshmërisë dhe përgjegjësisë institucionale, është karakterizuar nga një improvizim procedural dhe interpretim të gabuar të normave juridike, siç thuhet, duke ngritur shqetësime të drejtpërdrejta për funksionimin e demokracisë.
“Së pari, mungesa e kuorumit për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme e bën të pavlefshëm vetë zhvillimin e procedurës. Kushtetuta kërkon praninë e së paku 80 deputetëve për nisjen e seancës dhe zhvillimin e dy raundeve të para të votimit, ndërkohë që në sallë kanë qenë vetëm 64 deputetë. Në këto rrethana, çdo veprim i mëtejshëm procedural përbën një precedent të rrezikshëm që cenon rëndë parimin e shtetit të së drejtës dhe krijon hapësirë për anashkalimin sistematik të rregullave kushtetuese”, thuhet në reagim.
Tutje IKD-Ja e ka cilësuar si shkelje të standardeve minimale të transparencës dhe pjesëmarrjes, mënyrën e thirrjes së mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, siç thuhet, vetëm dy minuta para mbajtjes së saj.
“Një afat i tillë e pamundëson pjesëmarrjen efektive të deputetëve dhe e redukton procesin në një formalitet, duke cenuar legjitimitetin e çdo vendimi të marrë”, thuhet në reagim.
Sipas IKD-së edhe çështja e nominimit dhe e nënshkrimeve të deputetëve është trajtuar në kundërshtim me kuadrin kushtetues dhe praktikën gjyqësore. “Kushtetuta kërkon së paku dy kandidatë për President, kusht që është përmbushur fillimisht më 5 mars 2026 me kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut. Megjithatë, tërheqja e tyre nga gara nuk e rikthen procesin në pikën zero në aspektin juridik të nënshkrimeve, pasi këto të fundit konsiderohen të konsumuara në momentin e dorëzimit. Secili kandidat kishte siguruar mbi minimumin prej 30 nënshkrimeve, të cilat, për shkak të natyrës së tyre juridike, janë të lidhura ekskluzivisht me kandidatin përkatës dhe nuk mund të transferohen apo ripërdoren për kandidatë të tjerë”, thuhet në reagim.
Ky interpretim, krahasimisht, thuhet se “mbështetet edhe nga praktika e Gjykatës Kushtetuese në rastin KI 47/10, ku është theksuar se nënshkrimet e deputetëve, pasi dorëzohen si pjesë e një kërkese, nuk mund të tërhiqen në mënyrë arbitrare dhe konsiderohen të konsumuara. Po ashtu, thuhet se Rregullorja e Kuvendit e lejon tërheqjen e nënshkrimeve vetëm deri në momentin e dorëzimit në Zyrën për propozime dhe parashtresa, çka në këtë rast, thuhet se, nuk ka ndodhur.
“Të gjitha veprimet e mësipërme, nga mungesa e kuorumit, shkeljet procedurale në funksionimin e komisioneve dhe keqinterpretimi i rregullave e bëjnë të gjithë procesin juridikisht të pavlefshëm. Lejimi i një praktike të tillë përbën rrezik serioz për demokracinë, pasi vendos një standard ku rregullat kushtetuese anashkalohen krijohen rrugë për kriza të përsëritura institucionale”, thuhet në reagim.
IKD-ja i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të respektoj Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ashtu që, siç thuhet, të mos procedojë me asnjë veprim në seancë, nëse në sallë nuk janë të pranishëm 80 deputetë.