Kuvendi i Kosovës ka shkelur të drejtat e mbi 90 mijë zyrtarëve publikë, pasi ka reduktuar përqindjen e shtesës mbi përvojën e punës për 15 vitet e para nga 0.5 për qind në 0.25 për qind. Kështu u tha në diskutimin publik, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.Aty u tha se nëse Kuvendi nuk vepron, zyrtarët publikë e kanë të drejtën që të kërkojnë kompensim në gjykatë. Përpos vërshimit të gjyqësorit me mbi 90 mijë lëndë, atëherë nga buxheti i shtetit duhen të paguhen edhe shpenzimet procedurale dhe kamata ligjore.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se nëse Kuvendi nuk vepron në drejtim të realizimit të së drejtës së zyrtarëve publikë për kompensim për përvojën e punës, ata kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje gjyqësore, duke kërkuar kompensimin e dëmit për shkak të mosveprimit të tyre.
“Në këtë situatë, tashmë zyrtarët publikë kanë pësuar dëm. Nëse Kuvendi nuk vepron, zyrtarët publikë e kanë të drejtën që të kërkojnë mbrojtje gjyqësore, duke kërkuar përmes Gjykatës kompensimin e dëmit që iu është shkaktuar nga mosveprimi i Kuvendit”, tha Shala, teksa theksoi se kjo situatë mund të dërgojë deri në vërshimin e gjykatës me një numër lëndësh që mund të arrijë deri në 90 mijë raste të reja.
“Nëse Kuvendi nuk vepron dhe zyrtarët publikë detyrohen t’i drejtohen gjykatës, potenciali në këtë rast është se gjykatat do të vërshohen me rreth 90 mijë lëndë të reja, të cilat do të duhet t’i trajtojnë një për një”, shtoi Shala.Gjithashtu, sipas Shalës, përpos ndikimit që këto lëndë do të kenë në efikasitetin e punës së gjykatës, shpenzimet lidhur me procedurat gjyqësore do të bien në barrë të buxhetit të shtetit.
“Në bazë të një kalkulimi të përgjithshëm, nga buxheti i Kosovës do të shpenzohen 35,770,502 euro për shpenzime procedurale, pa përfshirë kamatën ligjore dhe shpenzimet e mundshme përmbarimore”, tha Shala.Përparim Gruda, deputet në ardhje i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) tha se është e paimagjinueshme që një vend demokratik nuk i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, Kuvendi nuk po zbaton aktgjykimin e Kushtetueses, jo për shkak të mungesës së mundësive ligjore apo teknike, por sepse lideri nuk dëshiron ta bëjë një gjë të tillë.“Kjo është një situatë e papranueshme për një vend që pretendon të jetë demokratik dhe të respektojë shtetin e së drejtës.
Kam thënë edhe në një tryezë tjetër se kur trajtojmë problemet e moszbatimit të aktgjykimeve kushtetuese, nuk kemi të bëjmë thjesht me një bojkot nga ana e qeverisë, por me një qasje të strukturuar që e konsideron sundimin e ligjit si të negociueshëm”, tha Gruda.
Armend Zemaj, deputet i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) tha se Kuvendi ka qenë pothuajse jofunksional që nga shkurti 2024 deri në ditën e zgjedhjeve, në këtë mënyrë nuk është mundësuar inicimini i ndryshimeve të reja legjislative.Sipas tij, nëse vazhdohet kështu dëmi do të jetë i madh, pasi administrata publike do fillojë paditë e tyre, siç ka tashmë padi për kontrata kolektive ku vetëm kamatat e kanë ngarkuar tejmase buxhetin e shtetit.
“Kosova ka rrëshqitur në një situatë ku ka krijuar jostabilitet edhe ligjor edhe kushtetues”, u shpreh Zemaj.Sipas tij, këtu është edhe qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se nga ato që i kanë thënë në Kuvend ka rezultuar me shkelje edhe kushtetuese.
“Nuk mundesh as si deputet as si opozitë me marrë një iniciativë kur shumica parlamentare të bllokon. Lufta që Lëvizja Vetëvendosje i ka hapur Kushtetueses ka qenë luftë e hapur, sepse atakimi, edhe ne kemi qenë në pozitë dhe nuk na kanë pëlqy vendimet e Gjykatës Kushtetuese por as nuk është diskutu zbatimi i saj. Na kanë pëlqy edhe atëherë kur është ndërru pushteti.
Ka largu president, ka largu Qeveri edhe partitë të cilat kanë qenë në pushtet as nuk e kanë diskutar. Dëmi më i madh në Kosovë ka ndodhë edhe po ndodhë përmes këtyre ndërhyrjeve”, u shpreh Zemaj.Krejt në fund, Zemaj u shpreh se do vazhdojnë të angazhohen në këtë drejtim, duke thënë se kjo Qeveri ka mendësi të skajshme të korrupsionit.