Vitin e kaluar Distria Krasniqi bëri dy gjëra: fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike dhe ndryshoi kategorinë. E para është ëndërr e çdo sportisti. E dyta është dëshirë për të qëndruar në majë, për të vazhduar me shkrimin e historisë.
Në Baku, nëntorin e kaluar, ajo na konfirmoi strategjinë e re. Ishte gara e parë e saj pas Tokios dhe ajo na tha se kategoria deri 48 kg ka përfunduar.
“Unë gjithnjë jam ndier më mirë në kategorinë deri 52 kg dhe këtë do ta bëj prej tani”.
Distria përfundoi e pesta, ishte sfida e parë pas lavdisë olimpike. Kështu e vlerësoi kosovarja: analiza e parë pa rëndësi të madhe.
Më pas erdhën pushimi, viti i ri dhe Portugalia.
“Erdha në Grand Prix të Portugalisë për të mbledhur pikë. Më duhet të lëviz në renditje dhe më duhet ta bëj shpejt këtë”.
Shpjegimi: Ajo ishte lidere e ranglistës botërore në kategorinë më të lehtë. Tani nuk është më dhe kjo është normale. Është e 38-ta. Për këtë ajo dëshiron të mbledhë pikë nga fillimi, që të mos presë gjatë për të qenë bartëse dhe të shijojë shortin më të lehtë.
Distria është e vetmja kampione në fuqi olimpike që po paraqitet në Portugali.
“Nuk kam dashur të pres. Më është dashur të luftoj, të shoh formën time dhe të fitoj. Jam ndier mirë që nga fillimi”.
Aq mirë është ndier sa fitoi të artën pa u djersitur shumë.
Tani që është kampione, silueta e Distrisë shkëlqen edhe më shumë. Si për fillim, ajo debutoi me uniformë të re me shkëlqim të madh ari. Është e pamundur të mos bie në sy. Tani ajo i takon grupit të kampioneve që të tjerat synojnë t’i rrëzojnë. Ajo e kupton shumë mirë. Deri vonë ishte në grupin tjetër.
“Gjithnjë më ka motivuar lufta me më të mirat. Në fakt, gjithnjë jam paraqitur shumë mirë ndaj tyre. Për shembull, isha e kënaqur që kisha rastin të mat forcat me kampionen e mëparshme olimpike, Paula Pareto. Dhe e kam mundur gjithnjë atë”.
Pasi Distria është produkt i pastër i shkollës kosovare, e palodhshme, punëtore e madhe, tashmë e dimë se të shmangim atë nga ndonjë garë do të jetë skajshmërisht e vështirë.
Mund t’i fërkojmë duart edhe për faktin se Distria e merr stafetën nga bashkatdhetarja e saj dhe xhudistja e lavdisë kombëtare, Majlinda Kelmendi, në një kategori të dominuar nga Uta Abe dhe Amandine Buchard.
Shpërthimi i Distrisë sigurisht se do të ndryshojë renditjen e gjërave.
“Për momentin kam një objektiv të qartë dhe për kohë më të afërt: Kampionatin Evropian. Pas Evropianit do të shohim”.
Ajo tashmë është kampione dhe vetëm 26-vjeçare. Në Paris 2024 do të jetë në kohën më të mirë, me stil të konsoliduar dhe me forcën mentale tradicionale. Ajo e di këtë, ne e dimë këtë dhe të tjerët e dinë po ashtu. Gjuetia ka filluar.