Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se Qeveria i ka mjetet për ta zgjidhur çështjen e kontratave kolektike, por s’ka vullnet ta bëjë.
Të hënën (dje) Komunës së Suharekës iu bllokuan xhirollogaritë për shkak të obligimeve përmbarimore për kontratat Kolektive. Kjo kontratë përfshin edhe pagesën e shujtës për mësimdhënësit. Në vitin 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi në favor të mësimdhënësve për këto kontrata, ndërsa barra e pagesës u kanë rënë komunave. Qeveria ka thënë se xhirollogaria e Komunës së Suharekës është bllokuar shkaku i vendimeve në formë të prerë të gjykatave.
Në një intervistë në “60 Minuta”, Ibrahimi ka thënë se komunat marrin para nga investimet kapitale për t’i paguar kontratat kolektive.
“Vetëm gjatë një periudhe të shkurtë kohore, katër komunave iu kanë bllokuar xhirollogaritë: Deçanit, Rahovecit, Suharekës, e Vitisë – mirëpo kjo mund të ndodhë edhe në komunat tjera pasi jemi në përfundim të vitit. Kjo po ndodh pasi komunat i kanë shpenzu mjetet e investimeve kapitale deri në 100 për qind dhe këto mjete financiare për kontratat kolektive janë marrë në shumicën e rasteve nga investimet kapitale. Pastaj edhe nga subvencionet. Këtë alarm e kemi ngritur që nga takimi i parë me kryeministrin Albin Kurti, por që disa vjet kemi hasur në vesh të shurdhër. E kemi ngritur këtë çështje edhe me qeveritë e kaluara. Ne si Asociacion nuk jemi ndonjë mekanizëm për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, por në vitin 2018 kjo lëndë ka shkuar edhe në Kushtetuese për ta zgjidhur problemin. Por Kushtetuesja ka thënë se ky rast nuk është i pranueshëm për Kushtetuesen”, ka thënë ai.
Që nga vendimi i Gjykatës, siç thotë Ibrahimi, komunat kanë paguar mbi 122 milionë euro për kontratat kolektive, derisa shumica e mjeteve janë marrë nga investimet kapitale.
Ai ka paralajmëruar se nëse situata vazhdon njëjtë edhe në vitin tjetër, zotimet e kryetarëve për zbatimin e projekteve kapitale nuk do të realizohen.
“I ka mjetet Qeveria, por s’ka vullnet. Nëse vazhdon edhe vitin tjetër, siç parashihet, komunat dhe kryetarët që kanë dhënë zotime për zbatimin e projekteve kapitale nuk do të mund t’i realizojnë. Nuk jemi kundër kontratave kolektive, por nuk duhet ta kenë obligim komunat sepse kontrata është nënshkruar me institucionet qendrore”, ka shtuar Ibrahimi.
Drejtor i AKK-SË ka propozuar që Ministria e Arsimit t’i përfshijë pagesat për kontratat kolektive në grantet për arsim.
E kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se çështja e kontratave kolektive duhet të jetë barrë e Qeverisë.
“Kontratat kolektive nuk pjesë e Komunës. Kryetari i Komunës nuk ka nënshkruar kontratë me sindikata të arsimit, por do të jetë barrë e Qeverisë. Gjërat duhet të zgjidhen, nuk duhen lënë për kohë të gjatë. Ky problem ka mundur të zgjidhet ma herët”, ka thënë ai në “60 Minuta”.
Muharremaj u shpreh se nëse nuk ka zgjidhje, në seancën e parë komunale në janar do të propozojnë bartjen e të hyrave vetanake në projektet që kanë mbetur pa përfunduar. Ai ka frikë se kompanitë mund ta dërgojnë në përmbarim Komunën dhe të rritet vlera e borxhit.
Kryetari i Suharekës bëri të ditur se i kanë kërkuar Kuvendit që kjo çështje të debatohet, “pasi nuk i përket vetëm Suharekës, por të gjitha komunave”.