Sikurse dy rastet e mëparshme brenda ditësh, edhe alarmi i sotëm për dyshimin se është vendosur një mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, ka rezultuar i rrejshëm.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, i ka thënë KOHËS se pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
“Hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm”, ka thënë më tej ajo.
Gjatë mesditës të së premtes është raportuar për një mjet shpërthyes që dyshohet se ishte vendosur në Stacionin e Autobusëve.
Policia tha se një person nëpërmjet një telefonate anonime, i ka thënë policisë se e ka vendosur atë.
Një paralajmërim i tillë është ngritur dy ditë më parë, përkatësisht më 5 janar, dhe një tjetër më 23 dhjetor, por se në të dy rastet ka rezultuar të jetë lajmërim i rrejshëm.