Prizren – I akuzuari Shqipëron Krasniqi ka thënë se nuk ka marrë asnjë veprim për rrënimin e aneks-objektit të “Abi Qarshisë” por vetëm se ka dorëzuar dokumentin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor. Ai ka thënë se në Komunën e Prizrenit kishte punuar me kontratë mbi vepër derisa në rastin e “Abi Qarshisë” vetëm ka asistuar zyrtarët tjerë komunalë.
Me dhënien e mbrojtjes nga ana e të akuzuarit Shqipëron Krasniqi, të premten në Gjykatën Themelore në Prizren ka përfunduar mbrojtja e të akuzuarve në rastin e rrënimit të aneks- objektit të “Abi Çarshisë”
Për këtë rast, Jetmire Vrenezi, Egzonë Morina-Thaçi, Islam Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqin, po akuzohen për korrupsion në rastin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshisë”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shqipëron Krasniqi në mbrojtjen e tij deklaroi se i qëndron pranë deklaratës së dhënë në Prokurori dhe tha se në Komunën e Prizrenit kishte filluar punë më 13.08.2019 me kontratë me vepër në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Komunës ku ka pasur për kompetencë të mbrojë interesin e Komunës.
Ai tha se lidhur më lëndën e “Abi Çarshisë” nuk ishte i angazhuar në asnjë veprim dhe se ditën e daljes në terren kishte dal pasi që përfaqësuesi ligjor i Komunës, Arben Krasniqi e kishte informuar se duhet që të asistojë në terren në një lëndë pasi që ashtu ka kërkuar Drejtori i Inspektoriateve Islam Thaqi dhe se atë ditë i kishte dërguar investitorit njoftimin mbi refuzimin e kërkesës për fillimin e procedurës së legalizimit nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor dhe se këtë vendim ia kishte dorëzuar palës dhe avokatit të tyre.
I akuzuari Shqipëron Krasniqi deklaroi se ditën kritike më 19 Korrik 2019 ka qenë në vendin e ngjarjes tek objekti i “Abi Çarshisë” vetëm për ta dërguar njoftimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të cilin ia kishte dorëzuar avokatëve të “Abi Çarshisë”.
Ai shtoi se lidhur me rastin e “Abi Çarshisë” ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe se nga ai është kërkuar që të dilet në terren për mbështetje, raporton “ Betimi për Drejtësi”.
Tutje i akuzuari Krasniqi deklaroi se njoftimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor e kishte lexuar rrugës gjersa ishte duke shkuar në objektin e “Abi Çarshisë” dhe se ai njoftim përmbante refuzimin e kërkesës për fillimin e procedurës për legalizim të lëshuar nga ajo drejtori.
Ai tha se është e vërtetë se ka qenë përfaqësues ligjor i Komunës së Prizrenit në atë kohë dhe se para se te hynte në një seancë gjyqësore kishte marrë një telefonatë për të asistuar te objekti i “ Abi Çarshisë” dhe se prej gjykatës e deri te shkuarja në vend të ngjarjes ka qenë intervali 15-20 minutësh.
Prokurori i shtetit Mehdi Sefa tutje në gjykim propozoi që të administrohet si provë fletëdorëzimi i njoftimit të DUPH e dt. 19.07.2019 me nr.04-351/02-010237 nga i cili fletëdorëzim rezulton se është dorëzuar nga nënshkruesi me mbiemrin Kolloni me datën 19 korrik 2019.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut, Isë Bislimajt dhe Shqipëron Krasniqit, të cilët po i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se më 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj “Abi” SHPK në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Sipas prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69 mijë e729 euro.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi