Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë ka shqyrtuar Raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2020.
Shkumbin Hyseni anëtar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave ka thënë se janë katër trena serbë që qarkullojnë ilegalisht.
Ai ka thënë se këtë çështje e kanë adresuar te krerët e shtetit në vazhdimësi.
“Ne kemi marrë vendimin për të ndalë trenin serb por ai vendim nuk ka qenë i kompletuar. Janë ende katër trena serbë që qarkullojnë ilegalisht, përkundër që në çdo mbledhje e kemi cekur si problematikë dhe u kemi kërkuar vendim krerëve të shtetit. Mes tjerash atje është duke u bërë një transport me rrezik përderisa tek ne nuk ka kaluar asnjë procedurë, ata nuk plotësojnë asnjë kriter për të qarkulluar”, ka thënë ai.
Deputeti Ekrem Mustafa ka pyetur se çfarë kanë ndërmarrë kur, sipas tij, dihet që këta transportues duhet të licencohet te ARH.
“Ne me aktet ligjore kemi liberalizu tregun e kemi dhënë këtë mundësi. Ne në vazhdimësi kemi dërguar shkresa që të ndalet operimi i çdo lloj treni, që të ndalen trenat ilegalë. Pastaj çdo kompani që mendon që ka interes që të jetë pjesë e tregut të Kosovës mund të aplikojë në ARH. Por, pjesa e vendimmarrjes ka qenë e kufizuar nga ne sepse është kompetencë e organeve të rendit. Edhe ashtu jemi staf 20 vetë edhe por aq na lejon ligji. I kemi dërguar shkresën e kryeministrit në atë kohë, ministrit e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë Hyseni.
Deputeti Besian Mustafa, ka thënë se sa i përket trenave, rregullimi i tregut në këtë drejtim është çështje kryekëput e ARH.
“Dhe nëse keni një operator ilegal cila është përgjegjësia juaj, nëse të dëshmuar e keni që keni ndërmarrë masa, cilat janë ato dhe ku ka mbetur përgjegjësia në ndalimin e këtyre operatorëve ilegalë”, ka pyetur Mustafa.
Hyseni ka thënë se përgjegjësia e tyre është lëshimi ose jo i një licence kur kanë një aplikant.
“Përgjegjësia jonë ka qenë nxjerrja e vendimit dhe është biseduar me kryeministrin atë kohë më 2017, me ministrat e linjës me ministrin e Infrastrukturës. Organet e kanë marrë vendimin për ta ndalë njërin nga trenat por fatkeqësisht i njëjti vendim nuk është zbatuar për trenat tjerë. Cili është hapi që sugjerojmë ne që ai transport të ndalet. Ne besojmë që organet e rendit mund ta bëjnë atë por si institucion ne e kemi të pamundur të veprojmë, këto janë kompetencat tona. Dueht organet e rendit të sigurojnë inspektim dhe të ndalojnë hyrjen e atyre trenave në kufi që vijnë nga Kraleva e kthehen në Kralevë”, ka thënë ai.