KFOR-i ka njoftuar se trupa rezervë po vazhdojnë të vendosen përkohësisht në Kosovë, si pjesë të regjimentit mbretëror të Yorkshire të Britanisë së Madhe.
Personeli dhe automjetet që kanë zbarkuar në Durrës pritet të lëvizin drejt Kosovës, e këto trupa u tha se do të bashkëpunojnë me njësi të tjera të KFOR-it “në një stërvitje rutinë të provave operative, deri në fund të tetorit”.
“Qëllimi i këtij ushtrimi është t’i testojë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre me misionin e KFOR-it. Stërvitja mbështet gatishmërinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur zhvillimeve përkatëse të sigurisë, në mënyrë që të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm dhe efektiv të mandatit tonë të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it të mërkurën.






