Katër ditë kanë mbetur deri në nisjen zyrtare të fushatës zgjedhore, e subjektet politike kanë intensifikuar takimet me qytetarë. Krahas kësaj, kanë vazhduar të shpenzojnë mijëra euro në sponsorizime të postimeve në rrjete sociale.
Në një format tjetër të të bërit fushatë kanë kaluar subjektet politike që garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nga rrjetet sociale, ku fushatë kanë bërë kryesisht deri në muajin e fundit, liderët e subjekteve politike kanë kthyer fokusin tek takimet me qytetarë.
Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, në fundjavë nisi tubimet me qytetarë nëpër komuna, ndonëse fushata zgjedhore fillon tek të shtunën.
Kryeministri Albin Kurti, i cili e drejton këtë parti, u shoqërua nga disa prej ministrave të kabinetit aktual, në takimet që gjatë tri ditëve të fundit i zhvilloi në Gjakovë, për të vazhduar në Mitrovicë të Jugut, Pejë e Gjilan.
Fshatrat e Malishevës, Vitisë, Podujevës e lagjet e Komunës së Shtimes u bënë adresë e tubimeve me qytetarë, të kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
Nëpër objekte publike e edhe në shtëpi e oda, Abdixhiku me deputetë e anëtarë të partisë takoi simpatizantë të LDK-së.
Për dallim nga Kurti e Abdixhiku, fushata e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në tri ditët e fundit është përqendruar në Gjakovë.
Përveç takimeve me qytetarë, në komunën kryesore që drejtohet nga AAK-ja, Haradinaj vizitoi stadiumin e futbollit, që ndodhet në ndërtim.
E, Partia Demokratike, subjekt kryesor në opozitë, nuk ka organizuar shumë takime në ditët e fundit.
Kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza, përveç pjesëmarrjes në inaugurimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në komunën që drejton, plasoi edhe një videomesazh, në të cilin prezantoi një pjesë të programit. E, të martën vazhdoi me takime të grupeve të vogla profesionistësh, kësaj radhe me specializantë të shëndetësisë.
Por sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, paralajmëroi intensifikim të fushatës, me të nisur zyrtarisht ajo.
“Kandidatët tanë dhe strukturat tona në terren kanë punuar gjatë për t’u siguruar se çdo qytetar do të përfaqësohet denjësisht. Nga sot deri në përfundim të fushatës PDK ka planifikuar mbi 1 mijë e 700 tubime pa llogaritur këto takimet individuale të kandidatëve për deputetë”, tha Çitaku.
Krahas tubimeve, partitë politike kanë vazhduar të derdhin mijëra euro për ta përçuar sa më gjerësisht mesazhin e tyre politik në rrjetet sociale.
Bazuar në të dhënat e siguruara nga platforma “Meta”, kampionë për nga shpenzimet në sponsorizim të përmbajtjeve gjatë një muaji janë LDK-ja dhe kandidati i saj për kryeministër.
Nga 6 dhjetori deri më 4 janar LDK-ja dhe Abdixhiku kanë shpenzuar 25 mijë e 928 euro. Kjo parti pasohet nga PDK-ja me 5 mijë e 669 euro, LVV-ja me 2 mijë e 895 euro, kryetari i AAK-së me 2 mijë e 137 euro dhe partia GUXO me 214 euro.