LAJME

SHSKUK-ja për vdekjen e foshnjës në Spitalin e Prizrenit: Po e trajtojmë me prioritet

SHSKUK-ja për vdekjen e foshnjës në Spitalin e Prizrenit: Po e trajtojmë me prioritet
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Qershor 2023, 14:50

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka bërë të ditur se është duke e trajtuar me prioritet rastin e vdekjes së një foshnje në Spitalin e Prizrenit, lidhur me atë nëse ka pasur shkelje të procedurave standarde gjatë punës së stafit mjekësor.

Në njoftimin e SHSKUK-së të postuar në Facebook gjithashtu theksohet se janë duke pritur raportin e ekspertëve mjekoligjorë, për të konstatuar e konkluduar mbi shkaqet dhe rastin.

Sipas SHSKUK-së “aktualisht nuk mund të konkludohet nëse mjekët që e kanë trajtuar rastin, ndonëse janë arrestuar, kanë kryer veprim që ka shkaktuar rrezik jete”.

“Raportet profesionale, për çdo rast me fatalitet që ndodh në kushtet spitalore, janë element kyç për të verifikuar nëse mjeku ka shkelur procedurat apo nuk ka vepruar sa e si duhet. Pa këto raporte çdo konkluzion mbetet jo vetëm i pabazuar, por arbitrar”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre mjekë të Spitalit të Prizrenit, pasi që një burrë ka raportuar se foshnja e tij ka vdekur disa minuta pas lindjes dhe se ai dyshon që kjo ka ndodhur si pasojë e mostrajtimit të duhur nga stafi mjekësor.

Sipas raportit të Policisë rasti ka ndodhur të martën në orën 3:50.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika