Çmimet e shumë produkteve ushqimore kanë shënuar ngritje gjatë këtij viti. Qytetarët ankohen se mezi po i përballojnë çmimet e produkteve esenciale. Njohës të ekonomisë kërkojnë nga qeveria që të ndërmarrë veprime në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve.
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen me çmimet e larta të konsumit. Shumë prej çmimeve të produkteve kanë mbetur të njëjta, pak prej tyre janë ulur. Megjithatë, kostoja e lartë e produkteve bazike, sipas qytetarëve, po ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.
Ata thonë se me gjithë të ardhurat e ulëta mujore, çmimet janë të larta dhe pothuajse të papërballueshme.
” Janë shumë të shtrenjta po them që ende 1.50 cent speci. Diku 1 euro e gjysmë diku, 2 euro domatja 1.50 diku ma shtrenjtë janë po edhe çmimet po varen sipas njerëzve”, tha një qytetar.
“Shtrenjtë është shtrenjtë, se s’ka të ardhura. Unë nuk jetoj prej një pensioni, por e marr maksimal pensionin 380 euro, po çka janë sot, kurrgjë nuk jon sot këto para”
Edhe kryetari i shoqatës ‘Konsumatori’, Selatin Kaçaniku alarmon për çmimet aktuale me të cilat ballafaqohen qytetarët.
“Është e papërballueshme që një shportë mujore që do duhej të ishte për familjen katër anëtarësh rreth 1200 euro të ekzistoj me 400-500 euro është e pamundur”, tha për RTK, Kaçaniku.
Në anën tjetër, ata që njohin ekonominë rekomandojnë hapa institucionalë që t`u jepet mbështetje qytetarëve.
“Unë mendoj se këtu mungon një qasje aktive politike dhe ekonomike sepse përvoja e vendeve të tjera tregon se në raste të tilla kur kemi rritje marramendëse të inflacionit atëherë Qeveria duhet të ndërmarrë veprime që kanë të bëjnë me indeksimin e shpenzimeve e që përmes indeksimit të sigurohet një mbrojtje sociale e qytetarëve sidomos e qytetarëve të një shteti të ri”, tha Muhamed Sadiku, profesor i ekonomisë.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave flasin për ngritje të çmimeve për 3.6% në maj të këtij viti krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, ngritje kanë shënuar çmimet e bukës dhe të drithërave, mishit, pemëve, lëngjeve, ujit mineral e produkteve të tjera./RTK/